Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të bëjë sot homazhe në orën 09:00 te varrezat e dëshmorëve në Velani dhe te shtatorja e heroit Zahir Pajaziti, në orën 09:30.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca do të bëjë homazhe në Dyz të Podujevës, në orën 13:00.
Me rastin e 23-vjetorit të masakrës serbe në ofensivën e prillit 1999 në rajonin e Llapit dhe Gollakut organizohet tubim përkujtimor në Kompleksin e varrezave të luftës, Dyz, duke filluar nga ora 13:00.
Ndryshe, ditët e 17, 18, 19, 20 dhe 21 prillit të vitit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, për shumëkënd u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.
Ushtria policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.