Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka drejtuar kritika ndaj Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, BE-ja dhe ShBA-ja kanë qenë të buta ndaj Serbisë, duke shtuar se duhet të caktojnë një ultimatum pë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Brukseli dhe Uashingtoni duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe t’ japin një afat kohor Serbisë për t’i vendosur sanksionet Rusisë dhe për të hequr dorë nga përpjekjet që të ulen në katër karriga”, tha Kurti.
Sipas Kurtit, vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë nga Serbia, dëshmon se serbët e duan integrimin në BE.
“Sapo Serbia të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, atëherë do të ishte një moment kur ata do të tregonin se duan të integrohen në BE dhe Serbia pa Rusinëdhe nuk mund të kërcënojë sigurinë e kontinentit. Kështu që atëherë, mund të besoja se ata në thelb duan paqe”, tha kryeministri Kurti në Financial Times.
Në këtë artikull, Financial Times ka përmendur tensionet e fundit në veriun e vendit, gjithashtu edhe sulmin terrorist në Banjskë.
Theksohet fakti se serbët kanë bojkotuar zgjedhjet për kryetarë të komunave, dhe faktin se kryetarët janë shqiptarë.
“Javën e kaluar policia kosovare bastisi disa degë të një banke serbe në veri të vendit dhe konfiskoi monedhën serbe. Dinari ishte i jashtëligjshëm si mjet këmbimi në Kosovë në fillim të këtij viti, edhe pse shumë prej serbëve të Kosovës paguhen me paga ose pensione në këtë valutë. Kosova përdor euron”, thuhet në këtë artikull.
Kurti duke folur për dinarin, theksoi se kufizimet për dinarin dalin nga Kushtetuta e Kosovës. Sipas tij, euro është e vetmja monedhë për pagesë.
Financial Times shkruan se Kurti nuk ka pranuar të përgjigjet se kur do të mund ta tërhitë Njësinë Speciale nga veri, por që sipas kryeministrit, ankesat nga serbët po pakësohen.
Ai foli edhe për dallimet me partnerët ndërkombëtarë.
“Kurti pranoi se ka ‘ndonjëherë dallime’ me aleatët e tij evropianë dhe amerikanë ‘kur bëhet fjalë për strategjitë, operacionet dhe taktikat në terren nga njëra anë, dhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Serbinë’, por jo për vlerat apo parimet”, shkruan Financial Times.
Ai tha se qasja “e butë” e perëndimit ishte “pasojë e shpresës së madhe se sa më shpejt Serbia do të hidhet në kampin demokratik perëndimor.
“Sipas mendimit tim, ne kemi pritur shumë gjatë për të qenë ende me shpresë”, tha kryeministri Kurti.
Kjo deklaratë vjen pasi Serbia nuk ka pranuar t’i vë sanksione Rusisë.
Në anën tjetër, partnerët ndërkombëtarë kritikuan Kosovën për aksionet e fundit në veri në degët e bankës serbe. Ambasadat kërkuan koordinim para aksioneve të tilla.