Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët më Gjakovë, gjatë luftës së fundit. Kurti ka thënë se krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara, derisa dikush nuk merr përgjegjësi e dënim për to. Ai ka thënë se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.
Kujtojmë se mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova kanë zbarkuar ditën e sotme në Prishtinë. Kërkesa e tyre ishte e qartë: drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen në Hagë. E për këtë marsh ende nuk ka ndonjë reagim nga kryeministri.
Postimi i plotë i Kurtit:
“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch.
Në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në Lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç.
Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e dënim për to. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.
Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!