Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ajo që po ndodh në Ukrainë është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i luftës së dytë botërore, raporton Ekonomia Online.
Në konferencën e organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kurti ka thënë se Kosova është e orientuar me BE-në e NATO-n, e po ashtu edhe me SHBA-të e Mbretërinë e Bashkuar, në përkrahje të popullit të Ukrainës.
“Sot është një mëngjes i trishtë në Evropë. Në këto qaste ku jemi ne në Prishtinë, në Ukrainë po ndodh invazioni rus, i cili është agresioni më i madh ushtarak që nga përfundimi i luftës së dytë botërore. Ne solidarizohemi me popullin e Ukrainës, dhe jemi të orientuar bashkë me BE-në dhe NATO-n, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Mbretërinë e Bashkuar, për sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, pavarësinë e vendit dhe të drejtën e vetëvendosjes për popullin e Ukrainës”, ka thënë Kurti.
Për krizën në Ukrainë ka folur edhe shefi i BE-s në Kosovë, Tomas Szunyog. Ai e ka quajtur ditë të trishtë për sigurinë e Evropës sulmin rus në Ukrainë.
“Është problemi i sigurisë në Evropë dhe është ditë e trishtë për sigurinë e Evropës. Bashkimi Evropian i dënon këto sulme nga ana e Rusisë në Ukrainë”, ka thënë ai.