Vrasja e një zyrtari policor dhe plagosja e një tjetri, mëngjesin e sotëm në veri të Kosovës ka çuar në këmbë shtetin. Këshillit i Sigurisë së Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje, teksa kryeministri Albin Kurti tashmë ka dalë në konferencë për media.
Kurti në konferencë tha:
“Rreth orës 3, ka humbur jetën zyrtari ynë policor, Afrim Bunjaku, ndërsa në trajtim ndodhet një zyrtar tjetër, Alban Rashiti. Ai sot do të lirohet nga spitali pas një operacioni të suksesshëm. Pasi që janë penguar në rrugë, janë sulmuar me armë të ndryshme, përfshirë granata e zolla. Sot është ditë e rëndë në vendin tonë. Nga sot do të mungojë një zyrtar I përkushtuar. Vrasja e tij duhet të kthehet në angazhim më të shtuar, në luftim të bandave kriminale, që cenojnë rendin kushtetues. Sulmet po vazhdojnë akoma. Ne e dëmojmë këtë sulm terrorist.
Në këtë betejë mbrojmë ligjshmërinë, qytetarët dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët do të dështojnë, do të kapen, do të gjykohen, e do të dënohen. Institucionet janë të gatshme për t’iu përgjigjur kriminelëve. Qëndrojmë pranë familjeve të policëve dhe Policisë së Kosovës. Në këtë rrugëtim, jemi absolutisht bashkë. I ftoj qytetaret, ta ruajnë qetësinë dhe të tregojnë mature që të kryejnë punën e tyre profesionale.
Afrim Bunjaku u vra mizorisht në krye të detyrës. Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë, profesionistë, ushtarakë e profesionistë, të cilët ndodhen nën rrethimin e forcave tona policore. I ftoj të dorëzohen.”, tha Kurti.