Asamblisti nga LVV në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Ismail Kurteshi, thotë se koalicioni që u arrit të enjten me PDK-në nuk nënkupton bashkim personal të tij me këtë parti.
Ai deklaroi se me këtë parti është përshëndetur para 12 viteve dhe se nuk është se kanë qenë në armiqësi me PDK-në.
Kurteshi tregoi që para se ta bënin marrëveshjen mbi ndarjen e pushtetit, LVV dhe PDK e kanë nënshkruar një dokumenti, i cili sipas tij quhet “Marrëveshje për qeverisje të mirë”.
“Në të cilën janë këto pika, në radhë të parë ndershmëria që nënkupton se kushdo që e keqpërdorë pushtetin, do të largohet nga pushteti. Pastaj është profesionalizmi dhe në fund është transparenca. Me këto elemente ne besojmë se krijojmë qeverisje të mirë dhe duhet të ecim përpara dhe jo të mbesim peng i së kaluarës,” u shpreh Kurteshi.
Ish-deputeti deklaron se në subjekte ka individë që dallojnë prej njëri-tjetrit në pikëpamje dhe sipas tij edhe pas koalicionit LVV e ruan pastërtinë e saj.
“Mendoj që ky koalicion në radhë të parë është në interes të qytetarëve të Gjilanit, sepse Vetëvendosje ka kërkuar votë për ndryshim dhe nuk ka pasur kuptim që të bëjë koalicion me LDK-në, të cilën qytetarët e Gjilanit e kanë hequr nga qeverisja për shkak të pakënaqësisë që kanë pasur me mënyrën e qeverisjes”, ka deklaruar Kurteshi në KlanKosova.
Tutje, ai deklaroi se koalicionet nuk ndodhin për shkak të dashurisë ndërmjet subjekteve, por për shkak të situatave të krijuara bazuar në rezultatet e zgjedhjeve.
Sipas tij, do të ishte gabim që për inate të kujtdo qoftë, të mos ndodhin koalicione që do të ndihmojnë, siç tha, një qeverisje të mirë.
“Kritikat e mia nuk do të thotë se unë ose Vetëvendosja kemi qenë në armiqësi me PDK-në. Kemi pas pikëpamjet secili të vetat, unë edhe sot mendoj që ato që atëherë i kam thënë qëndrojnë, kanë qëndruar, nuk kanë qenë çështje që i kam shpikur. Por kjo nuk do të thotë se me PDK-në aktuale në Gjilan, e cila ka qenë qe 8 vjet jashtë pushtetit, ka qenë në opozitë të mos e bëjmë një koalicion të cilin e imponojnë zgjedhjet lokale të vitit 2021”, ka thënë ai.