Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ka ofruar një këshillë për qeverinë e re të Kosovës rreth qasjes së saj ndaj administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, duke theksuar se ai është më i interesuar në arritjen e marrëveshjeve konkrete sesa në çështje ideologjike.
“Nëse dëshironi marrëdhenie të mira me SHBA-në bëni marrëveshje, futuni në pazar, jini gati për të negociuar. Ju duhet ta shihni Trumpin si një president që nuk është ideologjik, nuk mendon për historinë e luftërave në Ballkan. Nuk ka ndonjë pikëpamje të vecantë për multietnicitetin. Ai thjesht dëshiron të kryej punë”, ka deklaruar ai.
“Unë mendoj se qeveria e Kosovës duhet t’i qaset administratës Trump me atë lloj pragmatizmi dhe transaksionalizimi sepse do t’i shpaguhet”, ka shtuar tutje Kupchan duke folur për Radio Evropa e Lirë rreth nevojës së rreshtimit të shpejtë e të drejtë të Kosovës, posaçërisht në kohën e ngjyrimeve të reja në arkitekurën gjeopolitike të botës.
Ndryshe, shumë analistë kanë ngritur pikëpyetje se ku do ta pozicionojë Trumpi rajonin në listën e prioriteteve të politikës së jashtme përballë luftës së agresionit rus në Ukrainë dhe konflikteve në Lindjen e Mesme. Në çfarë mënyre do të veprojë lojtari kryesor global nën lidershipin e presidentit të 47-të, sigurisht se mbetet për t’u parë.