Romelu Lukaku është kthyer. Për Interin është një lajm i mirë. Në Empoli, Simone Inzaghi rigjeti 3 pikët në kampionat, thelbësore për të rinisur garën për Championsin pasi kishte humbur 5 nga 7 ndeshjet e fundit në Serie A dhe më në fund edhe bomberin e tij që shënoi një dygolësh në fitoren 3-0. Lukaku nuk shënonte prej 253 ditësh një gol në aksion, dhe dygolëshin e fundit me Interin e kishte shënuar 2 vjet më parë.
Tani që tabutë janë thyer, sulmuesi është gati të ndihmojë skuadrën që të arrijë objektivat në këtë finale intensive të sezonit, duke nisur nga gjysëmfinalja e kthimit në Kupën e Italisë kundër Juventusit, në program këtë të mërkurë mbrëma në San Siro, takim ky që do të transmetohet në Supersport dhe ku Lukaku mund të jetë pas faljes së atij kartoni të verdhë në ndeshjen e parë nga Presidenti i federatës Italiane Gravina.
Romelu kërkon të jetë titullar, pasi sa më shumë luan aq më shumë gjen formën, dëshiron të rikthehet të bëjë liderin te Interi pas dëmtimit të gjatë dhe rikuperimit të ngadaltë dhe tani që ka rigjetur besimin dëshiron të luajë. Në Empoli ishte në fushë gjithë ndeshjen duke i dhënë mundësi të pushojë Dzekos pikërisht për sfidën kundër Juventusit.
Boshnjaku mbetet favorit për të qenë përkrah Lautaro Martinez përballë bardhezinjve, me argjentinasin që falë golit të fundit bëhet i pari lojtar i Interit që shënon të paktën 15 gola në të paktën 3 sezone radhazi që kur diçka të tillë e bënte Ikardi nga sezoni 2014-2015 deri në 2017-2018.
Me dygolëshin dh asistin për Lautaron Lukaku synon ta bëjë trajnerin për të ndryshuar mendje me teknikun që u shpreh:
“Lukaku kundër Juves në Kupën e Italisë? E rëndësishme është që kemi mundësi të zgjedhim, dicka që nuk kam mundur ta bëj deri më sot.
Tani sulmuesit janë mirë, dhe problemi për trajnerin është kur nuk ka zgjedhje. Dy ditë para sfidës i kam ca ide, kam lënë pushim shumë lojtarë dhe diçka e kam ndër mend”.