Kukësi nuk ka arritur të fitojë gjyqin me ish-kapitenin Besar Musollin, i cili nuk pranoi rinovimin automatik të kontratës.
“Panorama Sport” ka zbuluar vendimin e FIFA-s, ku klubi kuksian kërkonte 300 mijë euro dëmshpërblim, duke iu referuar edhe kushteve të kontratës të nënshkruara midis palëve.
Për këtë arsye, futbollisti me më shumë prezenca në historinë e Kukësit, me plot 254 ndeshje të luajtura, u hodh në gjyq në FIFA nga klubi, ku në lojë hyn edhe skuadra e Gjilanit, e cila federoi futbollistin.
33-vjeçari kishte pretendimet e tij në FIFA, duke argumentuar se kishte njoftuar klubin për moszgjatjen e kontratës, ndërsa klubi i mëshonte rinovimit automatik edhe për dy sezonet në vijim.
Në fund, duke marrë parasysh arsyetimin e të dyja palëve, Dhoma e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve vendosi: “Rrjedhimisht, DRC vendosi që kërkesa e paraqitësit të kërkesës, edhe pse e pranueshme, duhet të jetë refuzuar tërësisht”, thuhej në pikën 74 të vendimit të kësaj dhome.
Në argumentimin e saj thuhet se klubi i Kukësit nuk arrin të vërtetojë plotësisht që midis palëve duhej të kishte një rinovim automatik, ndaj si përfundim verilindorëve u jepet pjesërisht të drejtë, por pa dëmshpërblim.