“Ne ofrojmë garanci dhe të drejtat më të mira dhe më të mëdha për të gjitha pakicat ose komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Kështu iu përgjigj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 janar, kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Kosova të japë propozime rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje, në kuadër të dialogut.
Ai theksoi se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon asociacione njëetnike dhe shtoi se komuniteti serb në Kosovë gëzon privilegje të shumta sipas Planit të Ahtisaarit – dokument mbi bazën e të cilit Kosova e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.
Çfarë është Plani i Ahtisaarit?
Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.
Ky plan rregullon një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.
Sot, ekzistojnë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe. Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi – përderisa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.
Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”.
Për shembull, në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende parlamentare janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa dhjetë të tjera për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Serbët, po ashtu, kanë një vend të garantuar në Qeverinë e Kosovës.
Plani i Ahtisaarit mbron Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe pronat e tij, ndërsa më 2008, duke u bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse, si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë, dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh që gjuha serbe, e cila përdoret zyrtarisht në Kosovë, duhet të promovohet dhe të ruhet.
Serbët në jug të Ibrit e kanë pranuar Planin e Ahtisaarit, i cili i hapi rrugën integrimit të tyre brenda institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës, përderisa ata në veri të lumit e refuzuan atë deri më 2013, kur u arrit Marrëveshja e parë e Brukselit, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dy vjet më vonë, më 2015, Kosova dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e cila përcaktoi parimet e përgjithshme dhe elementet kyç të tij.
Çfarë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe?
Sipas Marrëveshjes së parë të Brukselit, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet mbi bazën e një statuti, ndërsa shpërndarja e tij mund të bëhet vetëm mbi bazën e një vendimi të komunave pjesëmarrëse.
Marrëveshja parasheh, po ashtu, të drejtën e komunave pjesëmarrëse për bashkëpunim në zbatimin kolektiv të kompetencave përmes Asociacionit, i cili do të ketë mbikëqyrje të plotë mbi fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe zhvillimit rural.
Modelet evropiane që mund të përdoren për Asociacionin
Marrëveshja e vitit 2015 përbëhet nga 22 pika, të cilat specifikojnë kornizën ligjore, objektivat, strukturën organizative, marrëdhënien me autoritetet qendrore, buxhetin dhe mbështetjen.
Disa prej objektivave përfshijnë forcimin e demokracisë lokale; kryerjen e mbikëqyrjes së plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale, edukimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, planifikimit urban dhe rural, dhe ofrimin e shërbimeve për pjesëtarët e tij në përputhje me ligjet e Kosovës.
Asociacioni duhet të ketë një Kuvend, një kryetar i cili përfaqëson Asociacionin para autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës, një nënkryetar, një Këshill, një Komitet, një Administratë, një Zyrë për ankesa, përderisa selia e tij duhet të përcaktohet nga statuti.
Një version i statutit është krijuar më 2018 nga Ekipi Menaxhues, me këshillim nga Bashkimi Evropian, bazuar në marrëveshjen e vitit 2015, por ai nuk i është prezantuar publikut asnjëherë.
Mes tjerash, marrëveshja e vitit 2015 thekson se Asociacioni do t’i mbështesë interesat e komunitetit serb para autoriteteve qendrore dhe se ka të drejtën të propozojë, në përputhje me ligjet e Kosovës, ndryshime ndaj ligjeve dhe rregullave të tjera, që janë të rëndësishme për t’i arritur qëllimet e veta.
Çfarë kontestohet lidhur me Asociacionin?
Problemi kyç përkitazi me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështja e kompetencave.
Në dhjetorin e vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vlerësoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në përputhshmëri me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me Nenin 3 mbi “barazinë para ligjit” dhe me kapitujt “të drejtat dhe liritë themelore” dhe “të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk ka thënë në konkluzionet e saj se Asociacioni nuk duhet të formohet, por ka thënë se kompetencat e tij mund të harmonizohen me Kushtetutën përmes statutit.
Plani i Ahtisaarit nuk ka zbrazëtira për përfshirjen e një dispozite për formimin e një Asociacioni tjetër”.
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se harmonizimi eventual i statutit të Asociacionit me Kushtetutën e Kosovës do të jetë ekskluzivisht politik për nga natyra dhe jo profesional apo shkencor.
Ai beson se themelimi i Asociacionit nga aspekti ligjor nuk mund të rregullohet apo të harmonizohet përmes statutit, sepse, siç thotë ai, themelohet një nivel i tretë i qeverisjes.
“Kosova ka dy nivele të qeverisjes, lokale dhe qendrore. Kjo do të ishte diçka tjetër, që nuk parashihet me Kushtetutë. Dhe, Plani i Ahtisaarit nuk ka zbrazëtira për përfshirjen e një dispozite për formimin e një Asociacioni tjetër”, thotë Baraliu.
A mundëson Asociacioni garanci më të mëdha, krahasuar me Planin e Ahtisaarit?
Miodrag Milliqeviq, drejtor i organizatës joqeveritare Aktiv në Mitrovicën e Veriut, thekson se ka pasur debat prej vitesh për Asociacionin e komunave me shumicë serbe pa një statut, dhe shton se për shkak të kësaj, nuk është e mundur të dihet nëse kjo do t’iu garantojë serbëve në Kosovë të drejta më të mëdha se Plani i Ahtisaarit.
“Duhet të diskutohet për projektstatutin, mbi bazën e të cilit do të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai mungon qe shumë vjet. Është e kotë të krahasohet ajo çfarë i mungon Planit të Ahtisaarit me atë që ofron Asociacioni. Fokusi është mbi faktin se marrëveshja është negociuar dhe është harmonizuar në nivelin e Beogradit dhe Prishtinës, dhe si e tillë mbetet obligim”, thotë Milliqeviq.
Ai beson se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe kërkon vetëm vullnet politik, i cili, sipas tij, nuk është gjetur deri më tani.
Milliqeviq thotë se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është hapi i parë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Partnerët alternativë për themelimin e Asociacionit
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë kërkuar vazhdimisht Kosovës të respektojë marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
SHBA-ja, madje, ka paralajmëruar se do të kërkojë “partnerë alternativë” për formimin e Asociacionit, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e gjen një mënyrë për ta themeluar atë.
Qytetarët në sheshin kryesor në Mitrovicën e Veriut. 9 nëntor 2021.
Kjo është përsëritur më 11 janar nga i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me qartësimin se “partnerët alternativë” mund të jenë shoqëria civile, grupet shumetnike apo institutet, të cilat mund të ofrojnë ide mbi bazën e së cilave mund të themelohet Asociacioni, pa rënë ndesh me Kushtetutën e Kosovës.