Nga nesër, në Gjykatën Speciale me seli në Hagë do të kumbojë zëri i dëshmitarit të parë në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në fakt, Prokuroria e Specializuar tashmë i ka dorëzuar listën e 12 dëshmitarëve në rastin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Për këtë gjykim, tashmë kanë folur pothuajse të gjithë, përveç Albin Kurtit, kryeministrit të Kosovës.
Shefi i ekzekutivit ende nuk ka folur rreth procesit gjyqësor në Hagë, ku po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi. Ndonëse ka shkruar disa statuse e ka dhënë disa deklarata, përfshirë debatet në Kuvendin e Kosovës, Kurti nuk ka thënë ndonjë fjalë në lidhje me “gjykimin special” në Hagë.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, vlerësoi disa ditë më parë se Kurti nuk guxon të thotë ndonjë fjalë për gjykimin e Thaçit e të tjerëve në Gjykatën Speciale.
“Dallimi mes meje dhe Kurtit është se unë kur e jap fjalën publike i qëndroj deri në fund ndërsa Albin Kurti nuk e mban fjalën, se ka mbajtur as për Gjykatën Speciale, të cilën tha se do ta zhbëjë Gjykatës. Ai nuk ka guxim të ape asnjë deklaratë të vetme për ish-komandantët e UÇK-së.” – tha ai.
Flet komandantja supreme…edhe LDK
Në lidhje me fillimin e gjykimit në Hagë kanë folur gati të githë, përfshirë Vjosa Osmanin. Shefja e shtetit, në mediumin “Die Presse”, ishte pyetur në lidhje me fillimin e nisjes së gjykimit në Hagë.
“Të hënën në Hagë fillon procesi gjyqësor ndaj paraardhësit tuaj Hashim Thaçi. Ai akuzohet për krime lufte atje së bashku me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën?” – ishte pyetja që intervistuesi ia shtroi presidentes Osmani.
Në lidhje me pyetje, Osmani deklaroi se drejtësia do të triumfojë.
“Jam e sigurt se drejtësia do të triumfojë. Dhe se në fund të këtij procesi marrim konfirmimin se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) bëri luftë çlirimtare në mbrojtje të njerëzve të pambrojtur. Ata mbrojtën vendin dhe popullin e tyre kundër regjimit gjenocidal të Sllobodanit.” – ka thënë ajo.
Në lidhje me gjykimin në Hagë ka folur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Në një postim në faqen e tij, Lutfi Haziri, nënkryetar i LDK-së, e “theu akullin”, duke e bërë publike qëndrimin e tij rreth gjykimit në Hagë.
“Për herë të tretë Kosova po përballet me të kaluarën e saj për të vendosur drejtësi. Në rastin e parë administrata e OKB-së përmes UNMIK-ut dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, në rastin e dytë misioni evropian in EULEX i cili ka provuar dhe ka marrë masa për të vendosur drejtësi në Kosovë dhe tani Dhomat e Specializuara që përfaqësojnë institucionet e Kosovës, legjislacionin e Kosovës dhe kjo duhet të barazohet me verdiktin e popullit të Kosovës. Praktikisht, Prokuroria e paraqet qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Gjykata jep vullnet në emër të popullit të Kosovës. Kjo është e vërteta e madhe.” – ka shkruar Haziri.
Ndryshe, Nora Weller, avokate dhe studiuese e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në vendet e luftës dhe në shoqëritë e pasluftës pranë Universitetit të Cambridge-it, disa ditë më parë, deklaroi se procesi gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë vë në pikëpyetje nëse populli civil i Kosovës ishte viktimë e Serbisë.
“Tash dy ditë po me dhemb koka nga Prokuroria në Hagë, duke e ditë se nëpër Serbi janë mbi gjashtë varreza masive (se paku këto dihen) nga ku Janë gërrmyer mbi 1000 trupa të njerëzve të pafajshëm nga Kosova, te vrarë nga Serbët. Nga vendet e vrasjeve masive deri tek varrezat masive nëpër Serbi janë rreth 600km (mendoni si shkuan deri atje trupat e të vrarëve). Sot gati gati jemi në pozitë të duhet të dëshmojmë që ishte populli civil i Kosovës që ishte viktimë e Serbisë.” – shkroi Weller në Facebook.