Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, kishte planifikuar që sot në komunën e Vitisë të bënte përurimin e dy projekteve, objektin e ri shkollës fillore të mesme të ulët “Halil Alidema” në Pozheran dhe të çërdhes publike në Drobesh.
Por, një gjë e tillë nuk ndodhi pasi përurimi u shtye.
E lidhur me arsyen përmes një komunikate u deklarua kryetari i Vitisë, Sokol Haliti.
Haliti deklaroi se arsye e shtyrjes është se në këto objekte po zhvillohen ende punime.
“Unë si kryetar i komunës, i shoqëruar nga inxhinierët komunalë, kam vizituar këto objekte dhe nga inxhinierët është konstatuar se akoma ishin duke u zhvilluar punime. Më pas, si kryetar i komunës së Vitisë, unë kam njoftuar Ministrinë e Arsimit rreth punimeve të papërfunduara, dhe ata janë pajtuar që përurimi i këtyre objekteve të bëhet pasi të përfundojnë punimet”, tha Haliti.
“Ndërkaq, lidhur me çerdhen publike në Drobesh të Vitisë, e cila është financuar me buxhetin komunal, ju njoftojmë se do të zhvillohen procedurat e rekrutimit dhe pranimit në punë të stafit përkatës, me qëllim që filizat e rinj t’i pranojmë sa më parë në këtë çerdhe publike”, shtoi në fund Haliti