Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura është dënuar me 1500 euro gjobë nga Inspektorati i Punës. Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Insajderi theksohet se kjo komunë nuk ka përfillur vendimin e këtij institucioni për kthimin në vend të punës Zëvendës- Drejtoreshës së QKMF’së në Skenderaj, Florentina Shala – Gashi.
Ajo ishte larguar nga pozita e zëvendës drejtoreshës se QKMF-së duke ja dhënë pozitën Zëvendësuese e Sekretares së Shërbimit Administrativ. Ky vendim ishte cilësuar si politik pasi ajo mbështeste një parti tjetër.
Prandaj edhe Inspektorati i kishte rekomanduar komunës që e njëjta duhet të vazhdoj të ushtroj funksionin që kishte pasur më parë. Pavarësisht kësaj Komuna e Skenderajt nuk i përfilli këto rekomandime.
Me 15 mars Fadil Nura është dënuar me 1500 euro gjobë. Në vendimin e siguruar thuhet se Nura ka cenuar dispozitat e punës.
“Për cenimin dispozitës të nenit 8, të Ligjit Nr.03/L-212 i Punës, e sanksionuar më dispozitën e nenit 2 dhe 7 paragrafi 4, nënparagrafi 4.2, të Udhëzimit Administrativ nr.07/2012 Pr Përcaktimin dhe Shqiptimin e Gjobave për Shkelje të Dispozitave të Ligjit të Punës, shqiptohet gjobë ne lartësi prej 500.00 (pesqind euro)“, thuhet në dokument.
A ishte largimi i Florentina Shala – Gashi vendim politik?
Vajza e dëshmorit, Sejdi Shala, Florentina Shala – Gashi në pozitën Zëvendës – Drejtoreshës e QKMF’së ishte zgjedhur me konkurs të brendshëm.
Por, Komuna e Skenderajit kishte marrë vendim që ta largojnë nga kjo pozitë. Florentina Shala – Gashi në një prononcim për Gazetën Insajderi tha se vendimi ishte krejtësisht politik.
“Nura dënohet nga IP por nuk e përfill dënimin dhe si jurist i mire qe është ai e anulon jashtëligjshëm procedurën e zëvendësdrejtorit dhe me kthen në pozitë të zyrtares dhe e gjitha kjo ndodh vetëm për shkak të bindjes sime politike , vlen të ceket shumë që këta persona që thirren në emër të UÇK këtë lojë politike dhe presion te vazhdueshëm e po ashtu degradim e bëjnë direkt një fëmije të dëshmorit“, tha ajo.
Tutje ajo tha se kishte kontratë dhe pavarësisht kësaj kryetari i Skenderajt e ka vendosur në një pozitë tjetër.
“Unë kam paraqitur ankesë në këtë Institucion për vendin tim të punës ku nga ana e z.Nura me është mohuar ushtrimi i detyrës sime sipas kontratës pasi që në një periudhë një vjeçare i njëjti me ka vendosur në pozitën e shefit të administratës dhe pas kalimit te afatit ligjore një vit unë kam kërkuar nga kryetari Nura kthimin në pozitën time të punës Zëvendësdrejtor i Qendrës Kryesore te Mjekësisë Familjare në Skenderaj dhe lirimin e zyrës nga Ferat Kabash ku Nura e vendos në pozitën time e qe edhe deri me sot ai jashtëligjshëm e mban ketë pozitë“, përfundoi Florentina Shala – Gashi.