Kryetari i Kuvendit serb, Vlladimir Orlliq, ka deklaruar sot se “ka dallim në qëndrimin e zyrtarëve perëndimorë lidhur me situatën në Kosovë, gjegjësisht se zëri i Serbisë po dëgjohet për herë të parë dhe se është kryeministri i Kosovës Albin Kurti ai që po shkakton probleme dhe po e prish drejtpërdrejt paqen”, raportojnë mediat serbe.
“A ju kujtohet ndonjë herë tjetër kur keni dëgjuar ndonjë gjë nga Perëndimi, përveç se Serbia dhe serbët janë fajtorët ekskluzivë. Tani për herë të parë, po dëgjohet nga disa më qartë e nga disa më pak qartë se Albin Kurti është “ai që po krijon problemin që po kërcënon paqen” e çka duhet të jetë gjëja më e rëndësishme”, ka thënë ai për TV Pink.
Ai ka thënë se “Serbia ka arritur të bëjë disa ndryshime dhe se tani mund të bisedojë me ata që nuk kanë dashur ta dëgjojnë më parë”, për të cilët çështja e Kosovës është e mbyllur.
“Ata duan të na dëgjojnë të mendojnë për atë që po iu themi dhe “e kuptojnë se kemi të drejtë”, por nuk duan të pranojnë sepse projekti i tyre është “bebja e tyre”, “e ashtuquajtura Kosovë”, dhe që natyrshëm janë në anën e Kosovës. Po dëgjojmë nga zyrtarë të BE-së, NATO-s, SHBA që Kurti duhet të ndalojë këtë lloj sjelljeje “ku potencialisht i shtyn të gjithë në luftë”, ka shtuar kryetari i kuvendit serb.