Grupi punues do të hap për diskutim pikat orientuese të draftit me të cilat parashihet nisma e peticionit të qytetarëve për zgjedhjet dhe harmonizimi i udhëzimit administrativ me ligjin aktual.
Udhëheqësi i Grupit Punues, Besim Myrtezani, tha se gjithashtu do të diskutohet edhe për listat zgjedhore dhe do t’i kërkohet pastaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që t’i verifikojë ato.
Takimi i dytë i Grupit Punues pritet të mbahet brenda javës, me shumë gjasa të enjten dhe hollësi më të shumta do të jepen atë ditë.
Peticioni i qytetarëve, formula që ka gjetur Qeveria e Kosovës për të dalë nga situata e krijuar, është parë me dilema nga disa kryetarë të komunave të veriut. Ndërkohë Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, tha se nisma e cila nuk është e bazuar mirë në ligje i hapë mundësi kryetarëve që në të ardhmen t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese ku do ta fitonin rastin.
‘’Për ta bërë një peticion të tillë duhet të arsyetohet mirë se përse po largohen ata. Nuk kanë asnjë arsye sepse gjatë ushtrimit të funksionit të tyre nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore apo kushtetuese. Nëse kryetarët i drejtohen kushtetuese ata do ta fitojnë rastin. Nuk është i nevojshëm udhëzimi administrativ sepse është shumë mirë e precizuar në ligjin për vetëqeverisje lokale’’, tha Kryeziu.
Kryeministri Kurti ka thënë se forma më e mirë për organizimin e zgjedhjeve është peticioni i qytetarëve, i cili sipas tij parashihet me Ligj.