Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, nuk preferon nismën e qeverisë qendrore për shkarkimin e kryetarëve të komunave, nëpërmjet procedurës së peticionit.
Zeqiri që u zgjodh në këtë pozitë në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga pakica serbe që në veri të republikës janë shumicë, do donte një ide tjetër për zgjedhje të reja.
“Për mendimin tim kishte me qenë më mirë, do të thotë të kishte një marrëveshje politike të themi kështu, dhe një vullnet i dorëheqjeve të kryetarëve”.
Në fakt ai po vazhdon të kryejë detyrën e kryekomunarit jo nga zyra qendrore, por nga një alternative në fshatin Çabër.
Në zyrën e tij në Zubin Potok, fizikisht shkoi vetëm me 26 maj, kur sikur kryetari i Zveçanit dhe ai i Leposaviqit, me asistencë policore ju mundësua hyrja në godinat komunale.
“Kemi informacion ditor rreth gjendjes në komunë dhe rreth komunës. Kështu që në momente të caktuara ose të duhura, neve do të shkojmë kur krijohen kushtet e duhura. Me krejt kabinetin do të shkojmë edhe atje, mirëpo për momentin po funksionojmë edhe nga këtu”, tha Zeqiri për Klan Kosova.
Ndërkohë në ndërtesën e komunës së Liqenit të Ujmanit, ka një telashe estetike. Sipas pretendimeve të disa politikanëve e aktivistëve lokalë është se mbishkrimin e komunës që ishte në alfabetin cirilik, e hoqi dikush me qëllim.
Zeqiri thotë se shkronjat i rrëzoi era dhe se pretendimi që ato i hoqi policia nuk qëndron dhe se kur përmbushen kushtet mbishkrimi do sanohet.
I pari i Zubin Potokut është kryekomunari i dytë që bashkë me atë të Zveçanit, Ilir Peci, kryejnë detyrat nga ambiente alternative.
Ndërsa, Lulzim Hetemi, që udhëheq Leposaviqin, po qëndron brenda në komunë qe më shumë se dy muaj.
Ndryshe, edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, preferon që zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit të bëhet përmes dorëheqjes së kryetarëve dhe jo përmes peticionit.
“Mënyra më e mira është që kryetarët të dorëhiqen, si të dorëhiqen? Me një bisedë të cilën unë jam i sigurt se edhe ata e shohin se ndoshta nuk është e logjikshme që me një përqindje të vogël të votave kur e keni një përqindje të banorëve një strukturë etnike e cila është ndryshe përveç asaj që e përfaqëson dhe normale unë jam i sigurt që ata do ta kuptojnë. Nëse e bëjnë ata një dorëheqje në këtë formë shumë me efiçiente do të kishim qenë ne si Qeveri dhe në fund të fundit edhe ata si qytetarë, sepse e kemi një iniciativë që mund t’i organizojmë zgjedhjet shpejt sepse kemi një pluralizëm“, tha ai për RTV21.
Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve përmes peticionit i jep fuqi Listës Serbe që të vendos se si do të jetë epilogu i këtij procesi.
“Në këtë rast ajo për mu është Lista Antiserbe, ajo nuk do të bëjë asgjë e cila shkon në favor të serbëve por do të veprojë për gjithçka që shkon në favor të regjimit në Beograd, unë e kam mandatin e vetëm të mbrojë interesat e serbëve lokal, jo interesat e një partie radikale e cila rasisht për momentin e ka pushtetin në Beograd“, tha ai.