Numrat për ta kaluar rendin e parë të ditës për verifikimin e mandateve të deputetëve i patën, por LVV zgjodhi që seancën e sotme ta shtyjë edhe për 48-orë tjera. E gjitha kjo, erdhi pasi qysh në fillim seanca nisi me tensione në fjalën hyrëse të kryesuesit të Kuvendit, nga radhët e VV’së, Avni Dehari, transmeton Gazeta Papirus.
Dehari, pa qenë i autorizuar që të thirrë për konsultime politike përfaqësues të partive – ai këtë e bëri sërish duke i ftuar anëtarët e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Fillimisht, pati kundërshtime nga partitë opozitare me arsyetimin se VV po e shkel Ligjin për Qeverinë duke thënë se Kurti dhe ministrat e tij nuk mund të mbajnë dy pozita në të njëjtën kohë. Megjithatë, ata shkuan për të diskutuar – por u kthyen me përgjigjen e njëjtë si në seancën e parë.
Pas kësaj, Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari, nuk e vazhdoi skenarin e mbledhjes konstituive për të cilin do duhej të konstatonte numrin e të pranishmëve në sallë dhe për të vazhduar me votim.
Sipas këtij skenari, pas konstatimit të numrit të deputetëve të pranishëm në sallë i cili ishte gjithsej 119, do duhej të hidhej në votim ky Raport – e që nëse do shkonte numri i votave PËR në 52, sikurse herën e fundit – ky rend i ditës do të kalonte sot, pavarësisht nëse opozita do të votonte KUNDËR.
Dehari nga LVV, si kryesues i Kuvendit, zgjodhi që as të mos e dërgojë në votim këtë Raport – për shkak se nëse do të kalonte do shkohej në rendin e dytë të ditës e që do ishte betimi i deputetëve dhe më pas edhe propozimi i emrit për kryetar të Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit që do të propozohej nga LVV, do duhej që doemos t’i ketë 61 vota – në mënyrë që të kalonte si propozim. Me atë që kemi parë deri më sot, VV i ka gjithsej 52 vota, duke përfshirë edhe ato të NISMA’s së Fatmir Limajt i cili është edhe “befasia e zgjedhjeve të fundit në Kosovë”.
Reagime të shumta pas dështimit të seancës – akuza ndaj njërit-tjetrit
“Akt i paprecedent dhe i papranueshëm”, e ka quajtur lideri më i madh opozitar, Memli Krasniqi, ndërprerjen e sotme të seancës konstituive të Kuvendit nga kryesuesi i saj.
“Ky veprim arbitrar, i ndërmarrë në mënyrë të njëanshme dhe i shtyrë nga koalicioni VV-Guxo-Alternativa, përbën një uzurpim të pastër institucional dhe një tentativë të rrezikshme për ta bllokuar funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës.
Deputetët e zgjedhur dhe të certifikuar nuk u lejuan që ta votojnë raportin e Komisionit përkatës, që do t’i hapte rrugë betimit të tyre si përfaqësues të qytetarëve në Kuvend. Kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe rregullave të funksionimit të legjislativit tonë” ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në një postim në Facebook.
Nga radhët e LDK’së, ka reaguar shefja e GP, Hykmete Bajrami e cila theksoi se të gjithë deputetët e kësaj partie ishin të pranishëm në seancë, por kryesuesi nga radhët e VV’së shkeli rregulloren, pavarësisht se kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca.
“Sërish Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit.
Të njëzet deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin prezent. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë.
Skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte që të vazhdonin aty ku ishte ndërprerë kjo seancë më 15 prill. Prezent ishin 100 deputetë, pra kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca.
Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin e tyre faktik për konstituim të Kuvendit dhe themelim të institucioneve.
Shihni skenarin e mbledhjes i cili nuk u respektua”, shkroi Bajrami në Facebook.
Lideri i AAK’së, Ramush Haradinaj ka thënë se “politikat bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese janë kryefjala e Albin Kurtit”.
Sipas Haradinajt, pezullimi i seancës së sotme tregon edhe njëherë se kush janë këta njerëz që e mbajnë peng Kosovën tash e më shumë se katër vjet.
Haradinaj i reagon ashpër Kurtit: Formoj institucionet ose shkojmë në zgjedhje
Nga radhët e VV’së, lideri i tyre Albin Kurti nuk foli pas dështimit të seancës – megjithatë Albulena Haxhiu dhe Mimoza Kusari Lila, fajësojnë opozitën për këtë pezullim.
Pavarësisht se raporti nuk u hodh në votim sipas skenarit, Haxhiu thotë se ishin të gatshëm për ta gjetur një zgjidhje
“Ne sot ishim të gatshëm për zgjidhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes. Unë isha e pranishme në këtë takim”, tha Haxhiu, duke pretenduar se duan “ta korrigjojnë” mosvotimin e raportit të komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe mandateve.
Ajo tha se duhet të shohin se “cila është mënyra e duhur” për të proceduar tutje, dhe për këtë tha se ishin të gatshëm të propozonin “edhe mënyra”.
Haxhiu përsëriti se një situatë e tillë nuk parashihet as me Kushtetutë dhe as me ligjet e vendit.