Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, e quan precedent të rrezikshëm për rendin kushtetues, mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kryesuesi Maloku shpreh shqetësimin se edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtar të lartë te pushtetit, përkatësisht nga Ministria e Drejtësisë, po e kanë të vështirë të pajtohen me këtë vendim të drejtë dhe vendimtar të Gjykatës Kushtetuese.
Ai për Gazetën Online Reporteri.net thotë se publikimi i Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Ligjin e Këshillit Prokurorial, të cilin e ka shpallur kundërkushtetues dhe e ka rrëzuar përfundimisht, vërteton plotësisht qëndrimet dhe shqetësimet e tyre të shprehura publikisht edhe përmes përfaqësuesve të sistemit prokurorial, në mënyrë që ky ligj të mos miratohej si i tillë.
“Çdo ditë dëgjojmë deklarata, jo vetëm nga kjo Ministri, por edhe zyrtar të tjerë të lart të pushtetit, të cilat shkojnë deri në kontestim të akteve që dalin nga institucioni më i lartë kushtetues, dhe për çudi, vështire të pajtohen me vendimin e një institucioni, siç është Gjykata Kushtetuese. Mendoj, se kjo praktikë e deklaruar kundër vendimeve të Gjykatës më të lartë te vendit, është një precedent shumë i rrezikshëm për rendin kushtetues të Republikës se Kosovës”, ka thënë Maloku.
Kryesuesi Maloku, shton tutje se për hir të transparencës publike, Këshilli ka shprehur disa herë para opinionit qëndrimin e vet, me anë të deklaratave dhe reagimeve të njëpasnjëshme për një mbarëvajtje jo të rregullt të procesit të hartimit të Projektligjit të KPK-së dhe për futjen e elementeve dhe propozimeve kundër ligjit, si dhe për nxitimin marramendës të Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë për të proceduar e miratuar ketë Projektligj, pa konsultuar fare draftin final me akterët e këtij procesi, por edhe duke i vendosur mbrapsht shumë komente shtesë nga Opinioni i Komisionit të Venecias.
“Qeveria nuk vlerësoi fare as propozimet e dala edhe nga Strategjia për Sundimin e Ligjit dhe propozimeve të përfaqësuesve të sistemit prokurorial dhe akterëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, gjë që realisht dukej shumë hapur tendenca për të cenuar pavarësinë e KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, thotë Maloku.
Maloku pohon tutje se në këtë kontekst, rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës hoqi të gjitha dilemat ekzistuese lidhur me këtë çështje, së pari, duke marrë vendim që të rrëzohet komplet Ligji për Këshillin Prokurorial dhe, së dyti, ajo që ka shumë rëndësi, sipas tij, është se ka parandaluar cenimin e pavarësisë së KPK-së dhe mundësinë e ndikimeve politike në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, me nxjerrjen e këtij vendimi të drejtë, afirmon njëherë e mirë të drejtën kushtetuese kundrejt çfarëdo cenimi politik, që thelbësisht, pastaj cenon edhe pavarësinë e prokurorëve të shtetit dhe përgjithësisht pavarësinë e sistemit prokurorial”, pohon Maloku.
Kryesuesi Maloku thotë se mbeten të përkushtuar për të mbështetur proceset e përgjithshme reformuese në sistemin prokurorial dhe do të bëjnë përpjekje edhe në të ardhmen që së bashku me të gjithë akterët tjerë shtetërorë të vendit, bashkë edhe me mbështetjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, të bashkëinicojmë çdolloj nisme legjislative dhe nisma të tjera, që kanë për qëllim reformimin e nevojshëm, në mënyrë që të fuqizohet sundimi i ligjit në Kosovë dhe sistemi prokurorial i Kosovës të bëjë punën e vet të pavarur, profesionale, llogaridhënëse e transparente, duke mos u ekspozuar para asnjë lloj ndërhyrjeje apo presioni nga faktorë të ndryshëm, të jashtëm apo të brendshëm.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që ta shpallë të pavlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pas kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së këtij ligji nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, vitin e shkuar.
Kjo gjykatë ka bërë të ditur se disa nene të këtij ligji janë vlerësuar në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Me ndryshimet në Ligjin për KPK-në, ndërrohej mënyra e funksionimit të Këshillit Prokurorial por edhe përbërja e këtij këshilli.
Sipas vendimit të Kushtetueses, ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për Formën e Qeverisjes dhe Ndarjen e Pushtetit, Kompetencat e Kuvendit, Rolin e Avokatit të Popullit, Barazinë para Ligjit, e nenin për Këshillin Prokurorial.