Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq pret nga bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion mbi Kosovën, që sa më shpejt të fillojë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit.
Bërnabiq për RTS, theksoi se ka marrë të gjitha garancitë nga i dërguari amerikan, Gabriel Escobar se do ta bëjnë këtë në kohën më të shkurtër të mundshme.
“Fatkeqësisht serbët nga Kosova dëgjohen nga Uashingtoni dhe Brukseli vetëm kur vendosin barrikada. Ata janë në barrikada sepse kërkojnë të drejtat themelore të njeriut, asgjë më shumë. Kurti thotë se nuk ka marrëveshje të Brukselit për të, pasi nuk i ka nënshkruar. Serbët u larguan nga institucionet sepse kërkuan që të respektohen po këto marrëveshje”, ka deklaruar kryeministrja serbe, përcjell Insajderi.
Ajo shtoi se është thellësisht e zhgënjyer me konceptin e të drejtave të njeriut që ekziston në Bruksel, Uashington e Londër.
“Vuçiq është në kontakt të përditshëm me serbët në Kosovë dhe mund të kuptoj se ata janë të ngopur me gjithçka dhe se nuk kanë besim tek përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, vetëm duan të zbatohet marrëveshja e vitit 2013. Serbët janë në barrikada për të mbrojtur Marrëveshjen e Brukselit dhe për t’ia kujtuar Brukselit atë”.
E pyetur se cili ishte vlerësimi i saj për situatën e sigurisë, Bërnabiq tha se situata është në prag të konfliktit.