Kryeministri Albin Kurti, në një replikë ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirit, tha se në termocentralin “Kosova B” nuk ka rënë meanxhmenti, por ka rënë turbina. Kjo replikë e kryeministrit shkaktoi të qeshura në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës.
Paraprakisht, Tahiri tha se edhe menaxhmenti i ri i vendosur para dy vitesh në KEK, e ka sjellë këtë gjendje të keqe tani.
“Duhet t’i shikoni njerëzit të cilët i keni vendosur tash e dy vite në krye të Korporatës Energjetike të Kosovës, sepse edhe ata e kanë sjellë një gjendje të tillë, sepse po të ishte prodhimi në 920 megavatë sa ka qenë në vitin 2017, 2018 2019, importi do të ishte më i vogël”, tha Tahiri.
Në përgjigje, kryeministri tha se “rikthimi i B2-shit, me moshë 40-vjeçare e tejkalon 920 megavatëshin”. “Kjo është asgjë”, shtoi ai.
“E dyta, nuk ka ra menaxhmenti, por ka ra turbina. A e kuptoni? Lopatat e rrotorit të gjeneratorit B2 janë copëtuar, për shkak se shtypja e avullit, në vend që të jetë 120 bar sipas specifikacionit, ka qenë 90 bar. Ddhe avullahi ka qenë me lagështi më të madhe edhe i ka copëtu lopatat e vjetëruara, të cilat kanë ra dhe e kanë dëmtu kondensatorin”, tha Kurti.
Kryeministri e përsëriti këtë, duke thënë se ka pasur nevojë të ndërrohen edhe filterat, por situata ka qenë, siç tha ai, “llom”.
“Nuk ka ra pra menaxhmenti, por ka ra turbina. Sa i përket filterave, ata kanë dashur t’i instalojnë filterat, por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom. Duhet njëherë bojlerat, pastaj filterat. E ju s’i keni bë as filterat, as bojlerat Nuk ka filtera pa bojlera. E ne do t’i vendosim bojlerat, që t’i vendosim edhe filterat”, tha ai.