Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot shtypshkronjën “Blendi” në Komunën e Prishtinës, me pronar Shaip Ramën, e cila ka qenë përfituese e masës 2.1 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike për subvencionim të kredisë.
Kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati dhe deputeti i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Adnan Rrustemi, përgëzoi pronarin dhe punëtorët për punën e kësaj kompanie që është themeluar 33 vjet më parë, në vitin 1990.
“Bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin i përgëzuam për cilësinë e prodhimeve të tyre dhe gjithashtu për shpejtësinë e prodhimit. Ndërkaq, sa i përket makinerisë prodhuese, shtimit të numrit të punëtorëve e gjithashtu edhe plasimit në treg ne kemi qenë dhe do të jemi pranë tyre, duke iu ndihmuar në mënyra nga më të ndryshmet, përshirë për shembull edhe sa i përket kredimarrjes”, u shpreh ai.
Republika e Kosovës, Qeveria e vendit është pranë këtyre ndërmarrësve, të cilët sipas kryeministrit edhe i kontribuojnë ekonomisë e punësimit, por në të njëjtën kohë japin shembull se si me punë në Kosovë mund të fitosh, mund të përfitosh dhe të ngritesh si biznes.
Kryeministri Kurti, duke e falënderuar këtë shtypshkronjë për punën e tyre, tha se Kompania “Blendi” i ka rreth 50 punëtorë, pra është tashmë një kompani e mesme, e cila e ka të ardhmen e ndritshme, meqenëse në Kosovë ka një qeveri që u rri pranë ndërmarrësve.
Ndërkaq, ministri Hekuran Murati, tha se ishte kënaqësi të vizitojmë një kompani siç është “Blendi”, që kohëve të fundit është zgjeruar dhe po rritet me hapa të jashtëzakonshëm, e njëkohësisht duke e rritur edhe cilësinë përmes investimit në kapacitetet e reja prodhuese.
“Ishte kënaqësi të shohim edhe makinerinë e re, pra që është blerë përmes kredisë që është subvencionuar përmes masës 2.1. Si Qeveri jemi të interesuar që pikërisht biznese si këto t’i mbështesim në vazhdimësi”, tha ministri Murati, duke shtuar se pronarët i ka njoftuar edhe me masat tjera të subvencionimit të punësimit, siç është Superpuna për mbështetjen e punësimit të të rinjve.
Pronari i kompanisë “Blendi” Shaip Rama, e falënderoi kryeministrin Kurti dhe ministrin Murati për vizitën, duke thënë se kjo vizitë i bënë nderë kompanisë së tij.
Deklarimi për media i kryeministrit Kurti:
Sot patëm kënaqësinë që ta vizitojmë kompaninë “Blendi” dhe të takohemi me pronarin Shaip Ramën dhe djemtë e tij. Kjo kompani ekziston prej vitit 1990, pra tash e 33 vjet dhe është ngritur me mund dhe me përpjekje të mëdha, por bashkë me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratin i përgëzuam për cilësinë e prodhimeve të tyre dhe gjithashtu për shpejtësinë e prodhimit. Ndërkaq, sa i përket makinerisë prodhuese, shtimit të numrit të punëtorëve e gjithashtu edhe plasimit në treg, ne kemi qenë dhe do të jemi pranë tyre, duke iu ndihmuar në mënyra nga më të ndryshmet, përshirë për shembull edhe sa i përket kredimarrjes.
Republika e Kosovës, Qeveria e vendit tonë, është pranë këtyre ndërmarrësve të cilët edhe i kontribuojnë ekonomisë e punësimit, por në të njëjtën kohë edhe japin shembull se si me punë në Kosovë mund të fitosh, mund të përfitosh dhe të ngritesh si biznes.
Kompania “Blendi” i ka rreth 50 punëtorë, pra është tashmë një kompani e mesme, e cila e ka të ardhmen e ndritshme, meqenëse në Kosovë do të ketë qeveri pranë ndërmarrësve, por njëkohësisht edhe rritja e gjithmbarshme e ekonomisë së vendit tonë po e rrit edhe kërkesën edhe produktet në treg po janë gjithnjë e më të kërkuara.
Ne i falënderojmë shumë për punën që e kanë bërë, për kontributin që po e japin si tatimpagues të rregullt dhe zotohemi që kompanive të këtilla do ju jemi gjithnjë afër me mbështetjen tonë.