Mbrëmjen e së martës, gazetari Valon Syla është sulmuar nga tre persona të cilët pastaj janë larguar nga vendi u ngjarjes. Ai ka marrë trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku mjekët kujdestar i kanë qepur edhe kokën.
Ai është identifikuar nga lokacioni pasi ka përfunduar emisionin deri në lagjen Bregu i Diellit e pastaj është sulmuar.
Sulmin ndaj Sylës e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që ka kërkuar hetim emergjent për identifikimin e autorëve dhe vënien para drejtësisë. Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe Federata e Gazetarëve Evropianë dhe Qendra për Lirinë e Shtypit dhe Mediave që e kanë dënuar sulmin ndaj lirisë së mediave.Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.
“Sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit, Valon Syla është i pa pranueshëm dhe i pa tolerueshëm. Mos pajtimet me bindje dhe qëndrime, nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës. Zotëri Syla i urojmë shërim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e rendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, ka thënë Kurti.