Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti kanë organizuar pritjen shtetërore për 14 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Në mesin e të ftuarve të shumtë, dy krerët institucional thanë se Kosova po shndërrohet në vendin që breza të shumtë kanë ëndërruar dhe punuar.
Presidentja Osmani tha se vitin e kaluar triumfuan vajzat dhe gratë kosovare me sukseset e tyre. Prandaj, sipas saj, me të drejtë simboli i pavarësisë së Kosovës, obelisku “NewBorn”, iu dedikohet atyre.
“Kosova jonë po shndërrohet dita ditës në Kosovën që kemi ëndërruar dhe punuar shumë brez pas brezi. Çdo gurë i vënë deri tani në themelet tona po merr formën e plotë me punën e përditshme të atyre që i dhanë kuptim të vërtet pavarësisë. Po flas për mantel bardhët, për ushtarët, policët, zjarrfikësit, bujqit, punëtorët qofshin në sektorin publik apo privat. Për vajzat dhe djemtë tanë, gratë dhe burrat, pleqtë dhe plakat pavarësisht moshës dhe mbi të gjitha për fëmijët tanë dhe të ardhmen tanë…Në vitin që lamë pas triumfuan vajzat dhe gratë tona. Në viti që lamë pas na prinë përpara vajzat dhe gratë tona me sukseset e tyre. Prandaj me të drejtë këtë vit simboli ynë i pavarësie, obelisku ‘Neë Born’, u dedikohet grave dhe vajzave tona të cilat përkundër sfidave dhe vështirësive vazhduan gjithnjë ti mbajnë krahët e tyre lartë”, tha ajo.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti tha se për Kosovën është jetike të orientohet nga aleati, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe lidhja trans-atlantike.
“Për Republikën tonë të re është jetike të orientohet në veprimin e saj gjeopolitik dhe kombëtar prej aleatit tonë të fuqishëm ShBA. Si Republikë demokratike nuk mund të anashkalojmë rezultatet emancipuese të demokracisë amerikane sikurse edhe të asaj evropiane. Vet pjesëmarrja e aleatëve tanë ndërkombëtar në çlirimin tonë ka qenë moment i madh i emancipimit mbi të drejtat tona dhe garantim të lirisë. Ne jemi një republikë demokratike e cila thotë po edhe NATO-së dhe BE-së, pasi konsideron se lidhja trans-atlantike është aktuale si asnjëherë më parë”, theksoi ai.
Krahas kësaj, Kurti tha se pavarësia e një shteti është edhe e drejta për t’u zhvilluar dhe mundësia për progres. Për këtë, sipas tij, nevojitet profesionalizmi dhe patriotizmi.