Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në promovimin e albumit “Përvjetori i 40-të i pranverës, 1981 – 2021”, me autorë Sylë Mujaj dhe Hydajet Hyseni.
Kur e shënojmë 40 vjetorin e pranverës ‘81, padyshim se aq sa duhet t’ia kujtojmë e përkujtojmë vetes atë vit të lavdishëm, në të njëjtën kohë kemi për detyrë që me këso botimesh sikurse ky që po promovojmë sot, t’ua bartim një trashëgimi të vlefshme edhe atyre që kanë lindur shumë më pas, por ndonëse nuk i kanë ato sfida të asaj kohe, nuk është se nuk i kanë disa rreziqe, që nuk janë aq të reja, tha Kryeministri Kurti në ceremoninë e organizuar në Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, në Prishtinë.
Prandaj kur rreziqet nuk mplaken, nuk do të duhej që as qëndresa, rezistenca dhe organizimi ynë të mplaket, shtoi ai.
Nëpërmjet këtij albumi, si një dritare, ai tha se shpreson që sa më shumë njerëz ta kuptojnë, se çka ka ndodhur prapa grilave të dritares së burgut.
Duke përmendur ish të burgosurit e pranishëm në ceremoni, Kryeministri tha se të gjithë ata, ndonëse ishin të burgosur në kohë të ndryshme e burgje të ndryshme, ishin për idealin e njëjtë, i cili bartet edhe më mirë te brezat e ri, atëherë kur botohet krijimtari artistike, që ndonëse ishin të ndaluara jashtë, ja që bëheshin në burg.
“Për brezat e ri sot, besoj që vlera e madhe është jo vetëm në aspektin e dijes historike dhe të vetëdijes kombëtare, por edhe në aspektin e një lloj edukimi estetik”, tha ai.
Kryeministri theksoi se beson që arsimimi duhet të jetë edhe edukim, ndërkaq edukimi nuk duhet të jetë vetëm etik, por edhe estetik. Pra, edhe edukim me vlera morale, por edhe edukim me vlera artistike.
Ai shtoi se të dyja këto kanë qenë të lidhura ngusht, si te askush tjetër, pikërisht te të burgosurit politik dhe në këtë kuptim ne nuk jemi sot të vetëdijshëm se sa shumë u kemi borxh atyre.
Nuk duhet harruar asnjëherë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur një plejadë të gjatë e të gjerë të të ish burgosurve politik, që i kanë paraprirë edhe mendërisht, edhe shpirtërisht, edhe fizikisht, drejt zhvillimit e ndërtimit të saj dhe drejt realizimit të çlirimit të Kosovës në qershorin e vitit 1999, tha kryeministri.
“Dhe gjakosjen jo vetëm për liri, por edhe për ushtrinë për liri, e shohim në këto vizatime të shumta, në këto poezi e në këto këngë, ku bëhet kushtrimi, bëhet thirrja për rezistencë të gjithmbarshme popullore drejt lirisë kolektive”, tha ai.