Kryeministri i vendit Albin Kurti ka kujtuar 77 shqiptarët civilë që u vranë dhe masakruan nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër të Drenasit.
Kurti ka thënë se trupat e viktimave të masakrës së Poklekut i dogjën kurse trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi.
Sipas tij, të gjitha këto ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë.
23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha”, ka shkruar kryeministri Kurti.
“Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra. U prehshin në paqe dëshmorët dhe martirët e kombit!”, ka thënë shefi i ekzekutivit kosovar në rrjetin social “Facebook”.
Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, në mesin e tyre 24 fëmijë.
Presidentja Vjosa Osmani bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca fillimisht kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek. Bashkë me ta, ishte edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci me ekipin e tij.
Postimi i tij
Në Paklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër të Drenicës, të njoma janë plagët nga gjenocidi i Serbisë.
23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha.
Pasi i vranë, trupat e viktimave të Masakrës së Paklekut i dogjën bashkë me shtëpitë. Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse. Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë.
Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra.
U prehshin në paqe dëshmorët dhe martirët e kombit!
Lavdi!