Kryeministri i vendit, Albin Kurti së fundi ka vizituar Policinë e Kosovës, saktësisht sektorin kundër Dhunës në Familje.
Duke qenë se Policia e Kosovës është një nga institucionet kyçe në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje, kryeministri theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit me qytetarë dhe bashkërendimit të aktiviteteve me të gjithë akterët relevantë, të cilët në forma të ndryshme ofrojnë ndihmë dhe shërbime për viktimat e dhunës në familje, për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Duke folur për rëndësinë e raportimit të rasteve, ai ritheksoi se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është çështje private, por çështje e sigurisë publike e shoqërore, andaj duhet edhe reagimi i të gjithëve.
“U bisedua për rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucionet relevante si: Policia e Kosovës, prokuroria, gjykatat, mbrojtësit e viktimave, qendrat për punë dhe mirëqenie sociale, strehimoret dhe organizatat e grave që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, e që përbëjnë zinxhirin kryesor të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat.Në vizitën e realizuar së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Zëvendësministren e Drejtësisë, Nita Shala, njëherit Koordinatore nacionale kundër dhunës në familje, dhe me udhëheqësen e Agjencisë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia, kryeministri u njoftua nga Zëvendësdrejtori i përgjithshëm për Operativë i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, rreth angazhimit dhe planeve për parandalimin e dhunës në familje”, thuhet në njoftimin për media.