Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të çuditë me deklaratat e tij, veçmas në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kurti, që dikur me mosrespekt ia ndërronte ngjyrat Shtëpinë e Bardhë, në “shtëpia e kuqe”, “e gjelbër”, po vazhdon të mbajë vijën e njëjtë.
Nuk janë të rralla rastet kur, jo vetëm Kurti, por edhe deputetët e partisë së tij, që zhvillojnë një diskurs konfliktuoz me zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Së fundmi, kryeministri i Kosovës, Kurti, ka vazhduar “të ushqejë” narracionin, prapa të cilit duket se fshihet një nevojë për të bërë një dallim apo një ndarje.
“Unë nuk mund t’i përfaqësoj Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ambasadori amerikan dhe as Sekretari i Shtetit apo Departamenti i Shtetit nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën”, ka thënë Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Kryeministri Kurti ka të drejtë ta thotë këtë vetëm në aspektin formal, sipas të cilit Republika e Kosovës përfaqësohet në botë nga Presidenti, Kryeministri apo Ministrja e Jashtme, por jo edhe në aspektin përmbajtësor të rolit që Shtetet e Bashkuara kanë për shtetin e Kosovës. Në fakt, ShBA-të nuk kanë kërkuar asnjëherë që ta marrin rolin për përfaqësimin e Kosovës, por vetëm kanë mbështetur fuqishëm përfaqësimin dhe përfaqësuesit e shtetit të ri që vazhdon rrugën e konsolidimit.
Prandaj, kryeministri i Kosovës bën gabim kur thotë se ShBA-ja s’mund ta përfaqësojë Kosovën.
Kryeministër Kurti, ShBA-ja mund ta përfaqësojë Republikën e Kosovës, interesin e saj, kudo që ajo e sheh të nevojshme.
Kryeministër Kurti, ShBA-ja mund të flasë për të drejtën e Kosovës dhe ta mbrojë interesin e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, atje ku Rusia e Kina çdoherë flasin në favor të Serbisë dhe kundër Kosovës.
Kryeministër Kurti, ShBA-ja mund të flasë në NATO dhe BE, për ta mbështetur çdoherë Republikën e Kosovës në rrugën e saj të integrimeve euro-atlantike.
Kryeministër Kurti, ShBA-ja bën mirë që flet për Kosovën, ashtu siç bëri presidenti George W. Bush në Tiranë, apo siç bëri presidenti Bill Clinton e sekretarja e shtetit, Madeleine Albright.