Sulmi i së martës në një shkollë në Teksas që la pas vetes 19 nxënës të vrarë, është i fundit në një varg sulmesh masive në Shtetet e Bashkuara.
Më poshtë është një përmbledhje e sulmeve masive në vitet e fundit.
BUFFALO, 14 maj 2022 – Një person i armatosur qëlloi dhe vrau 10 afrikano-amerikanë brenda një supermarketi në një sulm me motive racore. Ai u arrestua dhe po mbahet ne burg.
NEW YORK 12 Prill 2022 – Në një nga sulmet më të dhunshme, 23 persona u plagosën kur një burrë 62-vjeçar aktivizoi një bombë tymi dhe hapi zjarr në një metro. Ai u arrestua një ditë më pas.
OXFORD, 30 nëntor 2021 – Katër nxënës u vranë dhe shtatë persona të tjerë u plagosën pasi një adoleshent hapi zjarr në një shkollë të mesme në Oxford, të shtetit Michigan.
INDIANAPOLIS, 16 Prill 2021 – Një ish-punonjës i kompanisë FedEx, i cili kishte qenë nën kujdesin psikiatrik, vrau tetë persona dhe plagosi disa të tjerë në një objekt të kompanisë në Indiana, para se të vetëvritej.
LOS ANGELES, 31 Mars 2021 – Katër persona, një prej të cilëve fëmijë, u vranë gjatë të shtënave në një ndërtesë zyrash në periferi të qytetit përpara se i dyshuari të arrestohej.
BOULDER, 22 Mars 2021 – Një sulm masiv në një supermarket në Boulder, Colorado la pas vetes 10 të vrarë, përfshirë një oficer policie.
ATLANTA, 16 mars 2021 – Tetë persona, përfshirë gjashtë gra me origjinë aziatike, u qëlluan për vdekje në një varg sulmesh në sallonet e masazhit në dhe rreth Atlantas. Një burrë i dyshuar është arrestuar në lidhje me vrasjet.
MILWAUKEE, 26 shkurt 2020 – Një person i armatosur hapi zjarr në kompleksin e birrës Molson Coors Beverage Co në Milwaukee, duke vrarë pesë bashkëpunëtorë përpara se të kryente vetëvrasje.
DAYTON, 4 gusht 2019 – Një person i armatosur hapi zjarr në qendër të qytetit Dayton të Ohios, duke vrarë nëntë persona, përfshirë të motrën. Sulmuesi u vra nga policia.
EL PASO, 3 gusht 2019 – Një burrë qëlloi për vdekje 22 persona në një dyqan Walmart në El Paso të Teksasi. Një deklaratë, që besohet të jetë shkruar nga i dyshuari, e quajti sulmin “një përgjigje ndaj pushtimit hispanik të Teksasit”. Autoritetet arrestuan sulmuesin.
VIRGINIA BEACH, 31 maj 2019 – Një punonjës i pakënaqur i shërbimeve publike hapi zjarr ndaj bashkëpunëtorëve në një ndërtesë komunale në Virginia, duke vrarë 12 persona përpara se të vritej nga policia.
AURORA, 15 shkurt 2019 – Një burrë hapi zjarr në një fabrikë në Illinois pasi u pushua nga puna, duke vrarë pesë punëtorë përpara se të vritej nga policia.
THOUSAND OAKS, 7 nëntor 2018 – Një ish-veteran i marinës vrau 12 persona në një bar në Thousand Oaks, një paralagje e Los Angelesit. Më pas vrau veten.
PITTSBURGH, 27 tetor 2018 – Një person i armatosur hyri në sinagogën Tree of Life pranë Pittsburghut dhe qëlloi mbi besimtarët e mbledhur për të shërbyer Shabatin, duke vrarë 11 veta.
SANTA FE, 18 maj 2018 – Një 17-vjeçar hapi zjarr në shkollën e tij të mesme afër qytetit Houston, duke vrarë nëntë nxënës dhe një mësues, përpara se t’u dorëzohej oficerëve të policisë.
PARKLAND, 14 shkurt 2018 – Një ish-nxënës në shkollën e mesme Marjory Stoneman Douglas në Parkland të Floridas, vrau 17 nxënës dhe arsimtarë.
SUTHERLAND SPRINGS, 5 nëntor 2017 – Një burrë i dëbuar nga Forcat Ajrore amerikane për shkak të rrahjes së gruas dhe fëmijës së tij, qëlloi për vdekje 26 persona në një kishë të Teksasit, ku vjehrrit e tij luteshin. përpara se të vriste veten.
LAS VEGAS, 1 tetor 2017 – Një person i armatosur hapi zjarr në një festival të muzikës nga një suitë hoteli në katin e 32-të, duke vrarë 58 persona, përpara se të vetëvritej.
ORLANDO, 12 qershor 2016 – Një person i armatosur qëlloi për vdekje 49 persona në Pulse, një klub nate homoseksualësh, përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.
SAN BERNARDINO, 2 dhjetor 2015 – Burrë e grua vranë 14 persona në një kremte në vendin e punës në San Bernardino në Kaliforninë Jugore përpara se të vriteshin në një shkëmbim zjarri me policinë.
ROSEBURG, 1 tetor 2015 – Një person i armatosur sulmoi një kampus kolegji në Oregon, duke vrarë nëntë persona përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.
CHARLESTON, 17 qershor 2015 – Një supremacist i bardhë vrau nëntë besimtarë afrikano-amerikanë në një kishë në Charleston. Ai u dënua me vdekje.
WASHINGTON, 16 shtator 2013 – Një ish-rezervist i marinës që punonte si kontraktor qeveritar vrau 12 persona në Uashington Navy Yard. Ai u vra më pas nga policia.
NEWTOWN, 14 dhjetor 2012 – Një person i armatosur rëndë vrau 26 veta, përfshirë 20 fëmijë nga pesë deri në 10 vjeç, në një sulm në shkollën fillore Sandy Hook në Connesticut.
AURORA, 20 korrik 2012 – Një person i armatosur i maskuar vrau 12 persona në një kinema në Aurora të Colorados. Ai u dënua disa herë më burgim të përjetshëm.
FORT HOOD, 5 nëntor 2009 – Një major ushtrie dhe psikiatër hapi zjarr në Fort Hood, një bazë e ushtrisë amerikane në Teksas, duke vrarë 13 persona.