Një skenë e tmerrshme krimi brenda familjes ndodhi me 28 korrik në Rufc të Lipjanit. Kryefamiljari dyshohet se privoi nga jeta gruan dhe djalin, e më pas edhe veten. Prokuroria ka konfirmuar se vrasja e dyfishtë dhe vetëvrasja u krye me armë zjarri, e cila më pas u sekuestrua.
Disa ditë pas krimit makabër në Lipjan, Gazeta Express është interesuar të mësojë më shumë detaje rreth motivit të kësaj ngjarje, por prokuroria ka dhënë pak informata.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha se për këtë rast prokurori i rastit ka lëshuar disa autorizime dhe është në pritje të tyre, përderisa shton se po ndërmerren hetime për zbardhjen e rastit.
“Rastit të cilit i referoheni, ju njoftojmë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në drejtim të kësaj çështjeje. Prokurori i Shtetit ka lëshuar disa autorizime, për çka është në pritje të tyre, ndërkaq arma e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast është sekuestruar me urdhër të njëjtit”, tha Ulaj.