Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës se Kosovës kanë arrestuar pesë persona të dyshuar për krim në rajonin e Pejës.
Në operacioni policor ra në pranga ‘Grupi i Organizuar Kriminal’, të cilët sipas komunikatës së përbashkët të institucioneve të lartëcekura, kishin planifikuar dhe ndërmarr veprime përgatitore për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje’ dhe dhe ‘Shkaktimit të Rrezikut të Përgjithshëm’ ndaj dy viktimave në Pejë.
“Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e pesë persona të dyshuar: D.R., R.B., SH.K., F.Q., dhe D.M. të cilët me vendim të prokurorit nga PSRK janë ndaluar për 48 orë.
Gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontrolli që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm. Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lendes narkotike, telefona celular si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve”, thuhet ndër tjera në njoftim.