Në raportin vjetor për të drejtat e njeriut në Kosovë për vitin 2024, “Amnesty International” ka përmendur disa çështje kyçe që vazhdojnë të ndikojnë në jetën e qytetarëve të Kosovës. Një nga temat kryesore ishte dënimi i ish-oficerëve ushtarakë dhe policorë serbë për krime lufte të kryera gjatë vitit 1999, në kuadër të konfliktit në Kosovë.
Dënimet e reja për Dushko Arsiq, Ekrem Bajroviq dhe Çaslav Joliq, të cilët morën dënime me burgim nga 8 deri në 13 vjet, tregojnë se procesi i drejtësisë për krimet e luftës po vazhdon.
Po ashtu, në korrik 2024, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dënuan Pjetër Shalën, një ish-anëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me 18 vjet burgim për krime lufte, ndërsa në shtator, dënimi i Salih Mustafës u ul nga 22 në 15 vjet burgim.
Një tjetër çështje shqetësuese është bllokimi i zbatimit të marrëveshjes për gjetjen e 1,600 personave të zhdukur që nga lufta.
“Amnesty International” thekson se dështimi për të implementuar marrëveshjen e bashkëpunimit me Serbinë ka penguar përpjekjet për drejtësi dhe pajtim për viktimat e luftës.
Raporti gjithashtu ka kritikuar dështimin e Qeverisë së Kosovës për të miratuar disa ligje të rëndësishme për të drejtat e njeriut dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara.
Për shembull, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë Ligjin për fertilizimin e asistuar dhe shëndetin riprodhues (IVF), i cili do t’i mundësonte çifteve në nevojë të kishin akses në trajtimin mjekësor në spitalet publike.
Sipas raportit, ky dështim u shoqërua me fushata dezinformuese dhe gjuhë urrejtjeje ndaj grave beqare nga disa deputetë, të cilët kundërshtuan këtë ligj.
Po ashtu, “Amnesty International” ka theksuar dështimin e Kuvendit të Kosovës për të miratuar reformën e Kodit Civil, që përfshinte edhe ligje për bashkësitë civile të personave të të njëjtit seks.
Ky projektligj, i cili është bllokuar për herë të dytë, ka shkaktuar debate të ashpra, sidomos për Nenin 1138, që përcaktonte martesen si bashkësi ligjore ndërmjet burrit dhe gruas dhe lëvizjen për pranuar bashkësitë civile të personave të të njëjtit seks.
Në lidhje me përpjekjet e Kosovës për të avancuar integrimin evropian, raporti thekson se vendi u përball me një pengesë të madhe në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Pas miratimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e Manastirit të Deçanit, një kusht kyç për anëtarësimin, Kosova mori dy drita të gjelbra. Por, kërkesa për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që ishte një kërkesë nga disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës, pengoi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Në maj 2024, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës vonoi vendimin për anëtarësimin e Kosovës, për shkak të mosdërgimit të projektstatutit për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.
Raporti gjithashtu përmend kërkesën e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës për shtyrjen e afatit për aplikimin për statusin e “viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës”, duke theksuar se ende ka shumë individë që nuk kanë mundur të aplikojnë për të marrë kompensim financiar për këtë status.
Deri në tetor 2024, 1,688 nga 2,018 aplikantë kanë marrë statusin, ndërsa shumë të tjerë ende presin për të përfituar nga ky program.
Në aspektin ndërkombëtar, raporti i “Amnesty International” kujton dënimet e mëparshme të ish-udhëheqësve të lartë të Serbisë dhe Jugosllavisë për krime lufte, duke përfshirë Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit, dhe Nikolla Shainoviqin, i cili u dënua me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Dënime të tjera për krime kundër njerëzimit janë dhënë për individë si Dragolub Ojdaniq dhe Nebojsha Pavkoviq, të cilët u dënuan për rolin e tyre në masakrat e luftës në Kosovë.
Ky raport vjen në një kohë kur Kosova po përballet me sfida të mëdha për të realizuar angazhimet e saj ndërkombëtare dhe për të siguruar të drejtat e të gjithë qytetarëve të saj, duke përfshirë grupet e margjinalizuara dhe viktimat e luftës.