Kreu i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë para Komisionit për Siguri se që nga themelimi i Policisë së Kosovës, 1.108 zyrtarë policorë kanë dhënë dorëheqje, ndërsa një pjesë prej tyre kanë aplikuar për viza.
Ai tha se dorëheqja e tyre ka qenë vullnetare, mirëpo sipas tij, largimi kjo është shumë shqetësues pasi shumica kanë qenë kuadro të përgatitura mirë.
“Është shqetësuese puna e policëve që kanë lëshuar punën dhe ka indikacione që do të vazhdojë kjo dukuri për shkak se sigurisht ata e kanë arsyen sepse po gjejnë më mirë. Nuk e kam një statistikë por informacione të pakonfirmuar ka shumë zyrtarë policorë kanë aplikuar për viza dhe janë duke pritur, dhe kjo më të vërtetë është shqetësuese”, theksoi ai.
5 mijë policë e kanë paditur shtetin
Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, deklaroi se për mosrealizimin e çështjes së shujtave, rreth 5 mijë zyrtarë të Policisë, kanë adresuar padi në gjykatë. Sipas tij, ndonëse është e rregulluar çështja e shujtave dhe e shpërblimit, asnjëra nuk është realizuar.
“Shujta dhe shpërblimi për çdo vit, ka qenë e rregulluar, por nuk është e realizuar asnjëra prej tyre. Kemi bërë kërkesë dhe nuk e di a e dini që 5000 pjesë të Policisë kanë adresuar padi në gjykatë për t’iu realizuar kjo e drejtë. Për shpërblimin prej një page, thuhet shumë qartë se të gjithë ata pjesëtarë të Policisë që nuk e kanë ndonjë masë disiplinore, iu tako një shpërblim për fundvit i një page ekuivalente”, deklaroi Zeqiri para Komisionit për Siguri.
Policët kundërshtojnë koeficientët e Ligjit për paga
Sindikata e Policisë së Kosovës e konsideron të papranueshëm Projektligjin për pagat dhe koeficientin e vendosur. Kryetari i Sindikatës, Imer Zeqiri, deklaroi se koeficienti i pagës së policit është diskriminues, bazuar në draftin e koeficienteve që po punohet nga Ministria e Brendshme.
“Po më duket se Komisioni gjatë përpilimit të këtij ligji, nuk e di a i ka pasur parasysh këto gjëra. Është me rrezikshmëri dhe këta janë ata policë që ia përgatisin prokurorit lëndën për gjykatë. Një prokuror, në krahasim me një polic, i merr 5 paga. Aktualisht paga e policit është 392 euro. Është i papranueshëm projektligji me këta koeficientë”, deklaroi Zeqiri para Komisionit për Siguri për ligjin që parashihet të dalë para deputetëve për shqyrtim në muajin mars.
Zeqiri theksoi se kanë pakënaqësi edhe sa i përket mungesës së sigurimit shëndetësor.
“Jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë e botë, nuk ka polici pa sigurim shëndetësor. Policia mbetet më së gjati pa sigurim shëndetësor”, tha ai.
Sipas kreut të Sindikatës, rreth 5 milionë euro në vit do të kushtonte sigurime shëndetësor për Policinë e Kosovës.
“Policia i ka 9.119 punonjës, kjo shifër përfshin edhe stafin civil. Kemi 21 zyrtarë të vrarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. 300 kanë vdekur në detyrë, 426 që janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës. 528 policë me sëmundje të veçanta. Prej fillimit të pandemisë, 25 zyrtarë kanë vdekur nga pandemia. Mbi 2.500 janë infektuar me COVID-19”, tha tutje ai, derisa anëtarët e Komisionit i vijuan me pyetje.
Ditë më parë, ligji që ka shkuar për komente te palët e prekura, është kundërshtuar edhe nga Sindikata e Arsimit.