Ngritja e çmimeve te produktet ushqimore në Kosovë që një kohë të gjatë po vazhdon të jetë problem për qytetarët kosovar.
Nga kjo ngritje e çmimeve po pësojnë të gjitha shtresat e shoqërisë, por në veçanti pensionistët dhe familjet me asistencë sociale.
Kjo pasi që, ndihma që marrin nga shteti nuk iu mjafton as për gjëra elementare.
Nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 143.522 përfitues ndërsa nga skema e pensioneve kontribut paguese të moshës janë 46 mijë e 625 përfitues.
Prishtina është komuna me më së shumti përfitues të pensioneve bazike me gjithsej 15 mijë e 636 qytetarë.
Ndërsa komuna e dytë është Prizreni me 13 mijë e 73 përfitues.
Pensioni minimal i rregullt mujor të paguar për të gjithë qytetarët e Kosovës, që kanë mbushur moshën 65 vjeçare, pa marrë parasysh, a kanë qenë të punësuar apo jo është 100 euro.
Kjo shumë nuk po ju mjafton aspak, sipas kryetarit të Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi.
Gashi po thotë për Front Online se 100 € as një javë nuk po mjaftojnë.
Ai thotë se as barna nuk po kanë mundësi të blejnë kjo kategori e qytetarëve.
“Pensionet që i kanë tani nuk janë të mjaftueshme as për 1 javë ditë me këto pensione nuk kanë me ble as barna e as ushqim”, u shpreh Gashi.
Për rritjen e pensioneve, Gashi tha se shpresat kanë humbur tek Ministria e Financave.
Ai thotë se nga MF-ja vetëm premtime të rrejshme kanë marrë.
“Krejt çka kanë premtuar deri tash janë veç premtime të rrejshme dhe inshallah e mbajnë fjalën ndonjëherë për pensionistët. Deri tash faktet janë që nuk e mbajnë fjalën”, thotë Gashi.
Pension kontribut pagues i moshës – është pensioni i rregullt mujor për qytetarët e punësuar në Republikës e Kosovës, të cilët i kanë paguar kontributet, në ish-Fondin Pensional të Kosovës para datës 01.01.1999.
Shuma e pensionit kontribut pagues të moshës nga muaji janar 2016 ka pësuar ndryshime ku pensionet paguhen sipas kategorizimeve në bazë të nivelit të shkollimit si në vijim:
Kategoria e parë-pensionist i pa arsimuar ose me arsim fillor – shuma e pensionit është 182 euro;
Kategoria e dytë – pensionist me arsim të mesëm- shuma e pensionit është 198 euro;
Kategoria e tretë –pensionist me arsim të lartë – shuma e pensionit është 214 euro;
Kategoria e katër –pensionist me arsim universitar- shuma e pensionit është 265 euro.
Ndryshe, nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.