Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca së bashku me ministra e bashkëpunëtorë nga Qeveria e parlamenti bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Skenderaj.
Homazhe për nderë të 24-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Osmani tha se sot jemi këtu për ta përkujtuar sakrificën e familjes Jashari.
“Ne gjithmonë do ta kemi udhërrëfyes trimërinë dhe sakrificën e familjes Jashari sepse ajo çfarë ata bënë për atdheun do të mbes një dritë e cila do të ndriçoj rrugën përpara të brezave të tërë. Prandaj lavdi dhe përkujtimi i tyre do të jetë i përhershëm”, tha Osmani, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Kuvendit, Konjufca tha se sot po i nderojnë të rënët e familjes Jashari në krye me komandantin legjendar, Adem Jashari.
“Është pikërisht ky moment kur sakrifica kthehet në epope edhe kur i gjithë kombi shqiptar mobilizohet dhe bëhet UÇK një moment i cili jo vetëm që e ktheu të gjithë kombin në një ushtri dhe të gatshëm për ta dhënë jetën, por e cila sakrificë faktikisht e shkundi të gjithë botën. E lëvizi botën demokratike dhe e aktivizoi edhe faktorin ndërkombëtar që të besonte në kauzën tonë të drejtë. Nga ky kuptim mendoj që sakrifica e Jasharajve është momenti më i rëndësishëm brenda për brenda përpjekjes çlirimtare të popullit të Kosovës për lirinë tonë”, tha Konjufca.
Kryeministri Kurti tha se familja Jashari u sakrifikua për lirinë e Kosovës, bashkuan popullin dhe i dhanë hovin vendimtar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ky nuk ishte sulmi i parë ndaj Jasharëve, ata u patën sulmuar nga Serbia që udhëhiqej prej regjimit të Millosheviqit edh enë dhjetor të vitit 1991 edhe në janar të vitit 1998. Që të gjitha këto sulme ndaj Jasharëve ishin ndërmarrje e përbashkët kriminale e Serbisë. UÇK ka bërë luftë mbrojtëse dhe drejtësia dhe e vërteta jonë nuk mund të tjetërsohen as nga deformimet që vijnë e as nga mohimet që bëhen”, tha Kurti.