Zyrtari kryesor i financave, Feim Kelmendi, i cili njihet edhe si figurë kontroverze në media, ka bërë një deklarim qesharak të pasurisë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Në pjesën ku tregon se ka marrë një kredi në një bankë më datën 9 mars të 2023-ës me afat prej pesë vitesh në vlerë prej 20 mijë eurosh, thotë se një pjesë e ka shfrytëzuar për mbijetesë.
“Me shumen e kredise prej 20,000.00€ te marre ne vitin 2023 kam mbyllur dy kredit aktive qe kam pasur dhe nje pjse e kam shfrytezuar per konsum/mbijetese”, thotë në pjesën e qëllimit të detyrimit financiar.

Kelmendi ka marrë edhe një kredi në vlerë prej 2,600 euro për, siç shprehet ai, me mbet gjallë e për gazep.
“Kredi konsumuese per me mbet gjalle e per gazep”, thotë në qëllimin e detyrimit financiar.
Kelmendi ka thënë se paguhet vetëm nga Telekomi i Kosovës dhe ka deklaruar 0 kesh në të ardhurat vjetor.
Kelmendi shquhet për qëndrime pro partisë ish-pushtetare, Lëvizjes Vetëvendosje. Ai i kishte dalë në mbrojtje Nagip Krasniqit e i kishte thurur lavde Dejona Mihalit.
Zyrtari i lartë i Telekomit, që llogaritet numri dy i ndërmarrjes publike, ka publikuar disa herë fotografi me Kurtin e Besnik Bislimin duke ua lavdëruar punët.
Ai ka përdorur edhe shprehje banale ndaj kundërshtarëve politikë të Lëvizjes Vetëvendosje.