Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se seanca e konstituimit dështoi për shkak se Vetëvendosje s’i ka numrat, dhe tjetra sipas tij mosdorëheqja e tyre që shkel Kushtetutën.
Ai në një postim në Facebook e fton VV-në që të japin dorëheqje nga pozitat e qeverisë, vetëm atëherë PDK mbështet procesin, transmeton Gazeta Papirus.
Postimi i plotë:
Larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë.
Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dështoi sot për dy arsye të vetme:
E para: Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre.
E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet.
Në vend se të kërkojnë zgjidhje kundërkushtetuese për një situatë që e kanë krijuar vetë, është koha që të sillen me përgjegjësi. PDK nuk do të mbështesë asnjë proces që bie ndesh me Kushtetutën, siç u tentua të ndodhte sot, andaj i ftojmë qeverinë në detyrë, që:
- Të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare
- Të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin
- Pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë
Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme, funksionale dhe të dala nga vullneti i qytetarëve – jo për improvizime jokushtetuese dhe lojëra politike që e vonojnë formimin e tyre. PDK kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.