Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) ka vazhduar të mërkurën me ditën e dytë të edicionit të dhjetë të Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: parakusht për ripërtëritje të demokracisë”.
I ftuar në diskutim ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka folur i për barazinë gjinore në partinë të cilën e drejton.
Krasniqi ka thënë se për “50/50 qasje në PDK” ishte angazhuar personalisht, duke shtuar se një tryezë e veçantë për gra e një tjetër për burra nuk duhet të ekzistojë.
“Në momentin që e kam marrë besimin për ta udhëhequr PDK-në e kam bërë të qartë që të bëjmë reforma. Çështjen e grave e kam pasur preokupim personal sepse vështirësitë me të cilat përballen ato janë shumë më të mëdha sesa e burrave. Organizatat e ndara për gra nuk duhet të ekzistojnë. Kam pasur një përkushtim personal në këtë punë, ka qenë angazhimi im e kam konsideruar më shumë prioritet unë se në të kaluarën, më mirë vonë se kurrë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se partitë e tjera politike do të duhej të adoptonin një platformë si të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për barazi gjinore.
“Secila parti do të duhet të adaptojë një platformë të ngjashme me PDK për barazi gjinore në çdo nivel të vendimmarrjes mund të jetë një model i mirë, nuk do të ishte fundi i botës as e turpshme që partitë e tjera ta marrin këtë model, ta adaptojnë për vete. s’do të ishte e keqe, mund ta avancojnë tutje, ta bëjnë më të mirë nëse është e mundur”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se pa i imagjinuar gjërat, nuk mund të realizohen, duke shtuar se tashmë i kanë frytet e para të barazisë gjinore.
Më tutje, Krasniqi ka theksuar se qysh në vitin 2001 në zgjedhjet e para pas luftë PDK-ja ka pasur kandidaten e parë grua për presidente të vendit, Flora Brovinën.
“Për mua si kryetar ka qenë prioritet të shihja gra në zgjedhje lokale, kemi pasur numrin më të madh të grave për kryetare të komunave. Duhet të kenë hapësirën e njëjtë me të tjerët. Na duhet më shumë angazhim i pushteteve për angazhimin për të pasur një barazi të plotë dhe të vërtetë”, ka thënë ai.
Krasniqi ka thënë se nuk ka konsensus politik në çështjet e barazisë gjinore, sepse partitë kanë prioritete të ndryshme, ndonjëherë edhe kontekste të ndryshme me të cilat funksionojnë.