Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar Qeverinë lidhur me vendimin e fundit nga MASHT, ku nuk është arritur marrëveshja me shtëpitë botuese lidhur me furnizimin e librave për nxënësit, me ministren Nagavci që tha se këtë vit paratë për blerjen e librave do t’u transferohen direkt prindërve në xhirollogari, nëpërmjet platformës E Kosova.
I pari i PDK-së e ka quajtur këtë si një skandal të radhës të Qeverisë aktuale, ku sipas tij, përveç rritjes së kostot të jetesës, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit tani duhet të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Krasniqi ka përmendur ish-presidentin Thaçi, që sipas para 15 viteve e kishte lehtësuar barrën e shkollimit të fëmijëve kosovar, përmes librave falas.
Ndër të tjerash ai ka thënë se Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.
Postimi i plotë:
Skandali nuk po ia pret skandalin kësaj Qeverie. Tani, përveç rritjes së kostos së jetesës, përmes rritjes së çmimit të energjisë e produkteve bazike ushqimore, papunësisë e korrupsionit masiv, prindërit e rënduar ekonomikisht nga keqqeverisja e këtij pushteti duhet që të blejnë edhe librat për fëmijët e tyre.
Mbi 300 mijë familje kosovare do të detyrohen t’i blejnë librat për fëmijët e tyre – të pasigurt nëse ndonjëherë do t’u rimbursohen ato të holla. Këtë çështje e kishte zgjidhur rreth 15 vite më parë ish-kryeministri Hashim Thaçi, duke u lehtësuar sadopak barrën e shkollimit të fëmijëve prindërve kosovarë, përmes sigurimit të librave falas.
Kur ne po flasim për paaftësi qeverisëse – kjo është ajo për të cilën e kemi fjalën konkretisht. Dështimi për të përmirëruar jetën e qytetarëve, në çfarëdo aspekti. Për më keq, përmes veprimeve të tyre, kjo Qeveri vetëm sa po e rëndon dhe po e bën më të papërballueshme mbijetesën e familjeve të vendit tonë.
Fjalët janë të mira, por qeverisja bëhet me punë, përgjegjësi e dije. Sot, fatkeqësisht, qytetarët po detyrohen të zgjedhin në mes të tatimeve, sigurimit të ushqimit apo shkollimit të fëmijëve. Me këtë lloj qeverisje, Albin Kurti vetëm sa po kontribuon në thellimin e varfërisë së qytetarëve dhe rritjes së numrit të emigrantëve kosovarë.