Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se asnjë sektor në Kosovës nuk ka progres. Ai ka folur edhe për skandalin e ambasadorit Martin Berishaj.
I pari PKD-së ka kërkuar që Kurti të jetë në Kuvend dhe të përgjigjet për skandalin e Martin Berishajt dhe financimin e VV-së me paratë e tij.
“Nuk ka progres në asnjë sektor ka regrese në çdo sektor që nga shëndetësia e deri të diplomacia. Kryeministri nuk ka guxim ta trajtojë një virus helmues për shtetin. Për nëntë muaj raportimet kanë ardhur duke u shtuar akuzat duke u ngritur e dyshime deri te kryeministri Kurti dhe VV-ja. E reagime nga Kurti, presidentja e ministrja e Jashtme janë shpërputhje me zhvillimet e këtij rasti kanë ardhë duke u zvogëluar duke tentuar që përmes heshtjes që ta tjekalojnë këtë situatë, por po gabojnë aq shumë sa po e konfirmojnë që edhe vet janë të përfshirë”, ka thënë Krasniqi në Kuvend.
Ai ka thënë se ky skandal financiar ka dëmtuar rëndë diplomacinë e Kosovës.
“Si është e mundur që është ende në detyrë dhe nuk është shkarkuar. Pse nuk ka përgjigje për financimin me dy milionë euro, qoftë me ato videot e juaja “çka ka çka s’ka”. Martin Berishaj duhet të sillet para drejtësisë dhe kushdo që gjendet në këtë piramidë”, tha ai.