Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka reaguar pasi organizata Human Rights Watch (HRW) në raportin për Kosovën për vitin 2022, ka përmendur tensionet, kërcënime dhe shkeljen e të drejtave të njeriut.
Krasniqi ka thënë se ky raport është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga Qeveria Kurti: “Abuzim me të drejtat e tyre elementare”.
Sipas tij, gjatë vitit që lamë pas ka pasur shpërfaqje të mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale.
Postimi i plotë:
Kaosin, mungesën e kompetencës, keqqeverisjen dhe pasigurinë sociale e politike të krijuar gjatë vitit 2022 në vendin tonë – e ka evidentuar edhe raporti i fundit për Kosovën i organizatës Human Rights Watch.
Dhuna dhe vrasjet e grave, kërcënimet e gazetarëve nga zyrtarë institucionalë e diskriminimi i të gjitha komuniteteve të margjinalizuara, dëshmojnë detajisht paaftësinë e kësaj Qeverie.
Shpërfaqja e mungesës elementare të përgjegjësisë institucionale në vitin e kaluar, është tregues i qartë se çfarë i pret qytetarët e Kosovës edhe këtë vit nga kjo Qeveri: Abuzim me të drejtat e tyre elementare!