Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se do ta mbështesin dialogun me Serbinë pasi që nuk ka alternativë tjetër për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve.
I ftuar në Context, Krasniqi tha se njohja e ndërsjellë duhet të ndodh pa prekur rendin kushtetues të Kosovës dhe duke e mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Qëndrimi dhe qasja e Partisë Demokratike të Kosovës në raport me dialogun mbetet konstante dhe e pandryshuar, edhe kur kemi pasur përgjegjësi të qeverisjes së vendit edhe kur jemi në opozitë tash e dy vite. Ne besojmë se dialogu është mekanizmi pa alternativë për të tentuar arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila do të rezultonte me njohjen e ndërsjellë në mes të dy shteteve tona, gjithmonë në kuadër të rendit kushtetues ekzistues, sovranitetit dhe integritetit tonë territorial. Besojmë që ekziston kjo platformë që do të mundësonte një gjë të tillë nëse do të kishim një proaktivitet dhe një seriozitet më të madh në qasje edhe nga ana e Qeverisë. E kemi thënë edhe më herët dhe do ta përsëris edhe sot që ne e kuptojmë që përgjegjësia kushtetuese ligjore i takon kryeministrit Kurti dhe qeverisë që të ndërmarr hapat në këtë drejtim për të udhëhequr dialogun dhe nëse një marrëveshje në kuadër të asaj mund të arrihej, e ne besojmë që është e mundshme PDK do ta mbështeste një gjë të tillë”, tha Krasniqi.
Kushti jonë është duke u bazuar në platformën qe e kemi publike që nga viti 2017 të shkruar, prej kohës kur kryetar i PDK-së ka qenë Kadri Veseli kur ne organizuam tryezat e partive politike për të diskutuar dhe për të tentuar për të gjetur një harmonizim të qëndrimeve dhe ne mbetemi në këto pozicione. Besoj që të gjitha partitë, pa dallim a janë në pozitë apo opozitë i kanë qëndrimet e njëjta apo të ngjashme dhe për dallim prej kohës kur ne kemi patur përgjegjësi qeverisëse, kryeministri Kurti e ka pozicionin jashtëzakonisht më komod dhe më të favorshme”, shtoi kryetari i PDK-së.
Krasniqi gjithashtu tha se Kurti ka përparësi të madhe në krahasim me paraardhësit e tij për faktin se ka shumicën parlamentare dhe nuk ka një opozitë penguese.
“E para ai e ka një shumicë të madhe parlamentare, ka kontroll absolut në të gjitha levat e pushtetit dhe e ka një opozitë shtetëformuese që e kupton më së miri se ai që e ka kuptuar kur ka qenë në opozitë rëndësinë e veprime shtetërore dhe një opozitë që nuk e ka keqpërdorur dialogun dhe nuk do ta përdor për ta bërë temë politike ditore për kusuritjet tona të brendshme pasi që është një temë që nuk i takon ndasive pozitë opozitë, por është një temë që i takon Kosovës dhe perspektivës së qytetarëve tanë”, tha ndër të tjerash Memli Krasniqi.