Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka dhënë detaje për vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) si dhe takimet me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian (BE).
Krasniqi tha se me partnerët strategjikë të Kosovës ka diskutuar për vizionin e PDK-së dhe zhvillimet aktuale në vend.
Sipas tij, kohëve të fundit raportet ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së janë zbehur për shkak ë vendimeve të Qeverisë aktuale, andaj ai thotë se i takon ekzekutivit që t’i rregullojë raportet në mënyrë që të shkohet drejt marrëveshjes finale me Serbinë.
“Unë kam pasur një tur të vizitave në Bruksel e ShBA. Janë pjesë të vizitave që si kryetar i PDK-së i kam zhvilluar me zyrtar të BE-së dhe partnerëve tanë të ShBA-së ku kam zhvilluar takime në Kongres. Në këtë vizitë nuk kemi trajtuar vetëm zhvillimet aktuale, por edhe partneritetin strategjik ndërmjet ShBA-së dhe Kosovës. Kam shpërfaq vizionin e PDK-së për këtë partneritet si dhe zhvillimet aktuale. Ne jemi në opozitë nuk jemi në ekzekutiv”.
“I takon ekzekutivit pra që ta avancojë raportin sepse instrumentet e pushtetit janë në duart e Qeverisë. Fatkeqësisht në periudhën e fundit raportet mes Kosovës dhe ShBA-së kanë qenë të zbehura siç është vërejtur edhe nga vetë fakti i sanksionimit. Shpresoj që kjo zbehje do të tejkalohet sidomos tash pas dakordimit për targa dhe përkushtimit për të pasur proces dinamik në funksion të arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në procesin e dialogut”.
Ndërsa sa i përket uljes së pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, Krasniqi theksoi se qasja e kryeministrit Albin Kurti ndaj shumë strukturave sociale, por edhe shtetërore është për keqardhje.
Ai shtoi se sistemi i drejtësisë duhet të jetë i ndarë nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe penalizues i ekzekutivit, raporton EO.
“Qasja e kryeministrit ndaj shumë strukturave sociale, por edhe shtetërore është për keqardhje. Fillimisht pamë qasjen ndaj sindikatave ku kishte luftë me SBAShK. Pastaj pati shkëputje të kontratës kolektive me mësimdhënës dhe një ulje të njëanshme të pagave të gjithë punonjësve në sistemin e drejtësisë”.
“Një gjë e tillë nuk mund të ndodhë sepse është kundër Kushtetuese në kuptimin e aktgjykimeve që ka dhënë Gjykata për çështje të kësaj natyre sepse është e pamundshme që një degë e pushtetit të ketë mundësi për të marrë veprime që cenojnë punën e një dege tjetër. Sistemi i drejtësisë duhet të jetë i ndarë nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe penalizues i ekzekutivit. Në anën tjetër është problematike të pretendohet për një sistem të drejtësisë efikas kur kemi rreth 200 mijë lëndë që presin për t’u trajtuar dhe duke dekurajuar punën e prokurove dhe gjyqtarëve”, tha Krasniqi.