Deklarata e Fatmir Limajt mbrëmë, se nuk do të hezitojë të bashkëpunojë edhe me Albin Kurtin për interesin nacional të Kosovës, ka nxitur reagime të shumta. Nuk kanë munguar kritikat ndaj Limajt, i cili është cilësuar edhe si “Komandant Plastika” dhe “Bakri”, për shkak të nofkës së tij si “Komandant Çeliku” gjatë luftës.
Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar kandidati për deputet i Nismës, Veseli Krasniqi, i cili ka mbrojtur Limajn duke e cilësuar atë një “politikan të kalibrit ndërkombëtar”.
Sipas Krasniqit, për shkak të këtij kalibri,“mendimi i tij shpesh mund të duket i vështirë për t’u kuptuar nga disa”.
Krasniqi gjithashtu ka theksuar se Nisma nuk është duke vrapuar për të marrë pushtetin, pasi, sipas tij, “atë e kanë zënë të tjerët moti”, duke ngrënë dreka e darka me Albin Kurtin.
Ai ka shtuar se partia e tij punon për interesa të qytetarëve dhe për të mirën e Kosovës, e jo për agjenda ditore dhe personale.