PDK-ja është e gatshme që nga sot të diskutojë për zgjedhje të reja, tha kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.
“Unë tashmë kam diskutuar për këtë çështje. Kam propozuar edhe datën e mundshme. Dhe nëse vërtet Lëvizja Vetëvendosje s’dëshiron me dalë prej bllokadës, atëherë më mirë është me shku në zgjedhje”, tha ai, pasi për herë të shtatë dështoi të konstituohet Kuvendi, meqenëse kandidatja e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu nuk i mori 61 votat e nevojshme.
Krasniqi tha se do të ishte në rregull të mblidheshin dhe të diskutonin për këtë çështje, nëse LVV-ja nuk dëshiron ta ndryshojë kandidaten për kryetare të Kuvendit.
“Unë mendoj që sikur të ishin të sinqertë dhe nëse vërtet s’dëshirojnë me e ndryshu, duan ta lënë peng shtetin për shkak të zonjës Haxhiu, mirë kish me qenë me u mbledhë dhe me thënë ‘ok, kur po shkojmë në zgjedhje’. Sepse edhe për të mbërri te zgjedhjet është një procedurë kushtetuese. Duhet me pasë një diskutim, duhet me pasë një proces. Pra, nëse kjo është vërtet zgjidhja e vetme e mundshme, Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme qysh sot të diskutojë për një rrugë të tillë dhe me u dakordu për një datë e cila është sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ai./Gazeta Papirus/