Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar Qeverinë Kurti largimin e qytetarëve nga Kosova.
Në debatin parlamentar për dy vjetorin e Qeverisë Kurti, ai ka thënë se gjatë këtij mandati kanë ikur nga Kosova mbi 100 mijë qytetarë.
“Për gjatë dy viteve të fundit, mesatarisht 147 persona në ditë e lëshojnë Kosovën për me kërkua një jetë më të mirë larg vendit. Mesatarisht mbi 1000 qytetarë në javë. Pra, gjatë dy viteve të qeverisë Kurti 107310 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova, jo si turist, por si mërgimtar që kanë humbur shpresën dhe besimin në perspektiven që mundet me ofru shteti i jonë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se nën qeverisjen e kryeministrit Kurti po shpopullohet Kosova.
“Kosova po zbrazet. Vendi ynë po shpopullohet. Familjet tona po zvogëlohen. Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisjes tënde, kryeministër. Ky migrim i paprecedent flet më së miri se sa janë të kënaqur njerëzit dhe familjet me punën tënde. Çka do që flet sot Kryeministër, nuk e ka asnjë vlerë. Mos u merr me neve këtu në Kuvend. Tregoju atyre rreth 100 mijë familjeve që ju kanë ikur fëmijët gjatë qeverisjes tënde se çfarë suksese ke arritur me qeverisjen e sa mirë ua ke përmirësuar jetën”, ka deklaruar Krasniqi.