Analisti politik Albert Krasniqi ka reaguar sot lidhur me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ai ka thënë se ligji i propozuar është në kundërshtim me Kushtetutën. “E para, shkel liritë dhe të drejtat themelore, respektivisht parimin e prezumimit të pafajësisë. Me këtë ligj, pala është e fajshme derisa nuk të provohet ndryshe”.
Krasniqi thotë se konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të bëhet për të vendosur drejtësi e për të sjellë barazi. Ai ka kërkuar që rroga e vogël e fitimi i madh duhet të marrin fund, raporton Zeri.info.
Me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ai tha se amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme.Krasniqi në postimin e tij të publikuar në Facebook ka radhitur disa nga pasurimet e paligjshme që sipas tij përmes kësaj byroje rrezikohet të amnistohen siç janë pesë vjetët e para të procesit të privatizimit (2003-2008), para shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, që nuk kanë ushtruar funksionin publik qe 10 vjet.
Përveç të tjerash, Krasniqi tha se nëse këto shkelje janë bërë nga mosdija, edhe mund të falen. Por ai thekson se nuk mund të falen nëse janë bërë me qëllim sa për të nxitur kundërshtimin e opozitës, për ta fajësuar pastaj se është kundër konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. “Kjo iniciativë nuk guxon të shpërdorohet, vetëm sa për qëllim të ndërtimit të strategjisë së fushatës së ardhshme zgjedhore”, ka shkruar ai mes të tjerash në status. /Zëri
Statusi i plotë:
Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të bëhet për të vendosur drejtësi e sjellë barazi. Rroga e vogël e fitimi i madh, duhet të marrë fund! Por me iniciativën e Qeverisë për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, amnistohen të gjithë ata që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme: – Në pesë vitet e para të procesit të privatizimit (2003-2008); – Para shpalljes së pavarësisë në 2008; – Që nuk kanë ushtruar funksionin publik që 10 vite.
Përveç këtyre, ligji i propozuar është edhe në kundërshtim me Kushtetutën. – E para, shkel liritë dhe të drejtat themelore, respektivisht parimin e prezumimit të pafajësisë. Me këtë ligj, pala është e fajshme derisa nuk të provohet ndryshe. – E dyta, cenon parimin e ndarjes së pushteteve, pasi i atribuon administratës kompetencat e prokurorisë. Pushteti legjislativi ndërhynë në punën e pushtetit gjyqësor. –
E treta, Kuvendi tejkalon kompetencat e veta, pasi Byrosë i jep statusin e institucionit të pavarur. Kushtetuta ka përcaktuar institucionet e pavarura dhe funksionet e tyre, kurse përmes ligjit Kuvendit i ka mundësuar vetëm themelimin e agjencive të pavarura. Nëse këto shkelje janë bërë nga mosdija, edhe mund të falen. Por nuk mund të falen nëse janë bërë me qëllim sa për të nxitur kundërshtimin e opozitës, për ta fajësuar pastaj se është kundër konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme. Kjo iniciative nuk guxon të shpërdorohet, vetëm sa për qëllim të ndërtimit të strategjisë së fushatës së ardhshme zgjedhore. Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme duhet të jetë proces serioz, i menduar mirë, i pa kompromis dhe qe nuk amniston askënd! Jo një mekanizëm i partisë/koalicionit në pushtet për të përndjekur opozitën përmes një Drejtori që e zgjedh me votim të hapur dhe e shkarkon sa herë të dojë.