Kryetari i KQZ-së në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka thënë se në raportet që kanë 77 për qind e qendrave të votimit e kanë filluar procesin zgjedhor në orën 07:00.
“13 për qind e tyre e kanë filluar procesin e votimit në orën 07:30, 11 për qind e kanë filluar procesin e votimit pas orës 08:00 dhe kryesisht kjo është përqindja e atyre qendrave që kanë pasur probleme me funksionimin e pajisjes elektronike të identifikimit”, ka thënë Celibashi.
Kreu i KQZ-së ka thënë tutje se procesi zgjedhor po shkon i qetë dhe pa ndonjë problem teknik.
Ai ka theksuar se kanë marrë informacione se ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në Fierzë dhe Shiak, dhe se ka pasur mungesë të fletëvotimeve në një qendër votimi në bashkinë e Fierit dhe në një qendër votimi në bashkinë e Peqinit.
Celibashi ka treguar se janë 14 denoncime të administratuara deri më tani nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto denoncime sipas tij lidhen me parregullsi të veprimeve të anëtarëve të komisioneve të qendrave të votimit.
“Kemi patur një shqetësim të ngritur për procesin elektronik në Elbasan, është raportuar që ka një qendër votimi, ku zgjedhja e votuesit në pajisje dhe fleta e votimit që printohet janë të ndryshme…”.
Mes tjerash Celibashi, ka deklaruar se në shtatë qendra të votimit në Tiranë dhe Durrës po qëndrojnë persona të paautorizuar. Ai ka dhënë urdhër që të gjithë këta individë të largohen menjëherë nga qendrat e votimit, në të kundërtën kush refuzon, kryekomisioneri paralajmëroi se ndaj tyre do të merren masa.
“Ka prani në ambiente të personave të paautorizuar, ne e konsiderojmë si intimidim dhe presion ndaj është rasti që autoritetet ligjzbatuese nga Policia apo KZAZ dhe KQV ta adresojnë dhe të merren mesat përkatëse. Është e papranueshme që qytetarë që nuk ka lidhje, të rrinë në ambientet e brendshme, duhet të boshatisen menjëherë dhe kushdo që refuzon, do duhet të mbajë përgjegjësi”, është shprehur ai. /tch