Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka procesuar deri tani 99.72% të votave, duke numëruar votat nga 2 mijë e 526 vendvotime, nga gjithsej 2 mijë e 533. Përditësimi më i fundit i procesit të numërimit të votave është bërë të mërkurën në ora 22:12.
Nga të dhënat e shpallura në faqen zyrtare të KQZ-së, rezulton se janë ende pa u numëruar votat në tri vendvotime në Gjilan, një në Deçan, dy në Klinë dhe një në Prizren.
Për sa i përket rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (VV) është partia që udhëheq me 40.84% të votave, që përkthehen në 341 mijë e 672 vota. Pas VV, renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.05% të votave, ose 184 mijë e 499 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 17.67% të votave, që përkthehen në 147 mijë e 827 vota, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e katërta me 7.45% të votave, ose 62 mijë e 309 vota.
Numërimi i votave vijon dhe priten rezultate të tjera në ditët në vijim.