Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për orarin e konferencave që do të mbahen të shtunën, 8 shkurt, për votimin në përfaqësi diplomatike.
Zëdhënësi i KQZ ka bërë të ditur se komisioni ka planifikuar mbajtjen e disa konferencave, kjo me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës.
‘Me qëllim të informimit për ecurinë e procesit të votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, i cili do të organizohet më 8 shkurt 2025, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka planifikuar mbajtjen e disa konferencave’’, është thënë nga Elezi.
Po ashtu, është bërë e ditur se ato janë planifikuar të mbahen në orën 08:00, 11:30, 15:30 dhe 19:30.
‘‘Konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 dhe ka për qëllim të njoftojë qytetarët lidhur me hapjen e qendrave të votimit.
Konferenca e dytë do të mbahet në orën 11:30. Në këtë konferencë do të bëhet e ditur pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 si dhe ecuria e procesit zgjedhor.
Konferenca e tretë do të mbahet në orën 15:30 për të prezantuar të dhënat lidhur me daljen e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 dhe ecurinë e procesit zgjedhor deri në atë kohë.
Konferenca e katërt do të mbahet në orën 19:30, ku do të bëhet e ditur përfundimi i procesit të votimit, pjesëmarrja në votime në ato përfaqësi diplomatike ku është përmbyllur procesi i votimit.
Në orën 01:00, KQZ do të njoftojë vetëm përmes ueb faqes dhe rrjeteve sociale për përfundimin e votimit edhe në përfaqësitë diplomatike në ShBA dhe Kanadë’’, ka njoftuar Elezi.