Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpalluar të martën rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura në katër komunat veriore të Kosovës më 23 prill.
Sipas këtyre rezultateve, Mitrovicën Veriore dhe Leposaviqin e ka fituar Vetëvendosje, ndërsa Zubin Potokun dhe Zveçan e ka fituar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Në Mitrovicën Veriore rezultati është ky:
Kandidati i VV-së, Erden Atiq ka fituar 553 vota apo 66.9 për qind. I dyti është renditur kandidati i PDK-së, Taulant Kelmendit me 193 vota apo 23.4 për qind, ndërsa i treti ka dalë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica me 80 vota apo 9.7 për qind.
Në Zubin Potok, PDK ka dalë e parë me kandidatin Izmir Zeqiri që mori 196 vota apo 52.2 për qind, për dallim nga kandidati i VV-së, Flatron Hasani që mori 180 vota apo 47.7 për qind.
Ndërsa në Zveçan dhe Leposaviq përveç garës për kryetar të komunës, zgjedhje pati edhe për Këshillin Komunal.
Ky është rezultati për këto dy komuna:
Zveçan:
PDK: 98 vota apo 60.1 për qind 11 ulëse në Kuvendin Komunal.
VV: 65 vota apo 39.9 për qind me 8 ulëse në Kuvendin Komunal
Leposaviq:
VV: 85 vota apo 77.3 për qind me 15 ulëse
PDK: 21 vota apo 19.1 për qind me 2 ulëse
Ndërkaq, kandidatja Sllagjana Pantoviq që mori pjesë në zgjedhje si kandidtja e vetme nga komuniteti serb, garoi për kryetare të komunës së Zveçanit dhe mori shtatë vota apo 3.6 për qind.